Apolonia synon rikthimin në Superiore, ofertë Metos dhe Ribajt

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 8, 2018 | 14:30

Apolonia synon rikthimin në Superiore, ofertë Metos dhe Ribajt

Pavarësisht se tek Apo lonia gjatë ditëve të fundit ka qenë shumë qetësi dhe nuk është folur për merkato, drejtuesit e klubit kanë nisur të mendojnë për përforcimet e mundshme. Ata që po kontaktohen janë futbollistë fierakë, që kanë luajtur në ekipe të tjera në Superiore apo Kategorinë e Parë dhe tashmë janë gati që të rikthehen dhe të kontribuojnë për Apoloninë me objektivin për të ndërtuar një skuadër, e cila do të jetë në garë për t’u ngjitur në Superiore sezonin e ri.

Ribaj dhe Meto

Kështu që, pas Nakos, i cili pothuajse është veshur bardhejeshil, drejtuesit kanë kontaktuar dhe dy lojtarë të njohur, siç është mesfushori Agim Meto dhe sulmuesi Andi Ribaj. I pari, 32-vjeçar, ka mbyllur një sezon në Superiore me Lushnjën, e cila ra sërish në Kategorinë e Parë, ndërsa i dyti ka lënë pas “Loro Boriçin” e Shkodrës, teksa edhe Vllaznia është rrëzuar në të njëjtin kompeticion si Lushnja.

Deklarata – “Panorama Sport” ka kontaktuar me mesfushorin Meto, i cili nuk i mohon kontaktet me drejtuesit e Apolonisë, por shprehet se mbeten ende larg arritjes së marrëveshjes, mbi të gjitha për çështje financiare. “E kam pritur me kënaqësi kontaktin me drejtuesit e Apolonisë dhe unë jam i gatshëm që të jap maksimumin tim aty ku kam zemrën time, por mbetemi larg ende dhe nuk dua të jap detaje të mëtejshme.

meto

Po, kam oferta të tjera, nga skuadra edhe të Superiores, por pse ta fsheh, duke e vlerësuar si një sezon me angazhim serioz tek Apolonia, unë do të doja që të jepja kontributin tim këtu, në Fier, madje edhe sezone të tjera në elitë”, ka thënë Meto.

Ndërsa me sulmuesin Ribaj nuk ka qenë i mundur kontakti, por burime të sigurta pranë klubit bëjnë me dije se Ribaj ka lënë një dritare të hapur bashkëpunimi, edhe pse gjasat janë që kjo të mos realizohet. Po nga të njëjtat burime, mësohet se fierakët do të synojnë rikthimin si portier alternativ 19-vjeçarin Romeo Harizaj, që ka luajtur te skuadra e Albpetrolit.

Ribaj ne Izrael

Gjithsesi, menaxherët e Apolonisë po studiojnë edhe një tjetër portier, që aktualisht ndodhet në Itali dhe është aktivizuar me skuadra inferiore edhe për shkak të moshës së re. Megjithatë, për momentin merkatoja është e përqendruar vetëm te Ribaj dhe Meto, por për t’i bindur dy lojtarët që japin garanci për cilësinë e lojës, duhet të gjendet një e mesme për pagesat.

BUJAR RAMA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"