Apolonia si Kombëtarja, ja si do të zgjidhet kapiteni te fierakët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2018 | 23:30

Apolonia si Kombëtarja, ja si do të zgjidhet kapiteni te fierakët

Duke përfituar nga ndërprerja e kam pionatit, fierakët kanë menduar ta shfrytëzojnë këtë fundjavë për të zhvilluar një test miqësor. Të shtunën, Apolonia do të udhëtojë drejt Vlorës, për të luajtur në orën 14:00 miqësoren kundër Flamurtarit të Ilir Dajës. Me këtë takim, trajneri Miho kërkon të mbajë në tonus skuadrën e tij, për të mos humbur ritmin përpara ndeshjes së ardhshme ndaj Turbinës, ku pritet kthesa konkrete drejt fitores. Edhe gjirokastritët e Luftëtarit kërkuan një miqësore me bardhejeshilët, por fierakët kanë zgjedhur fqinjët vlonjatë, duke respektuar radhën.

apolonia

ZGJEDHJA E KAPITENIT

Mund të quhet me plot gojën risi për Apoloninë mënyra sesi do të operohet këtej e më pas për kapitenin e skuadrës. Së paku, për një kohë të papërcaktuar, është dakordësuar që kapiten të përzgjidhet lojtari më i mirë i javës paraardhëse. Ky modul origjinal fierak duket interesant dhe synon në motivimin për çdo futbollist të skuadrës, që ata të japin më të mirën në çdo ndeshje, por problemi qëndron te forma si do të përcaktohet “lojtari i ndeshjes”, që do të marrë shiritin e kapitenit për javën pasuese. Studim i vëmendshëm i lojës përmes video-kronikës dhe votim në grup, një nga mënyrat që pretendojnë fierakët për këtë risi.

Gjatë fazës së parë të këtij edicioni, shiritin e kapitenit të Apolonisë e ka mbajtur mesfushori Taulant Hysenshahaj, i zgjedhur me votim unanim në fillim të sezonit. Vetë Hysenshahaj ka qenë ndër të parët që e ka përkrahur këtë propozim të fundit, jo si shmangie përgjegjësie, pasi numri 10 i Apolonisë është një nga modelet më të mira, por duke menduar për ecurinë e skuadrës, pasi ky stimul mund të sjellë më tepër obligim dhe përkushtim maksimal nga çdo lojtar që luan në fushë. Mbase fierakët e kanë marrë indicien nga Kristian Panuçi i Kombëtares sonë për “kapitenin e lëvizshëm”, veç me ndryshim modaliteti. Gjithashtu, edhe Brazili përdor kapitenë të lëvizshëm që ndryshojnë shpesh.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"