Apolonia shtang Tiranën në kupë, fierakët “trembin” kryeqytetasit në çerekfinale

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2015 | 9:28

Apolonia shtang Tiranën në kupë, fierakët “trembin” kryeqytetasit në çerekfinale

tirana - apoloniaTIRANA APOLONIA 2-2
GOLAT Morina 49′, Karabeci 65’/ Ribaj 30′, Uzuni 45′
TIRANA: Ed.Bakaj, Taku, Pashaj, Muça, Malaj (Kalari 45′), Kërçiku (Bakaj 45′), Sefa, Karabeci, Hyshmeri (Ndikumana 37′), Bushiç, Morina; Trajner: G.Magani.
APOLONIA: Miço, Fili (Ambris 72′), Kaja, Atanda, Idrizaj, Hysenshahaj, Uzuni, Gërxho (Broshka 85′), Nako, Dimo, Ribaj (Rajkoviç 82′); Trajner: A.Mërgjyshi Kartonë të verdhë: Muça 2′, Karabeci 85′, Bakaj 93’/ Idrizaj 13′, Kaja 58′, Uzuni 78′, Gërxho 85′
GJYQTARET A.Koçi, E.Velaj, F.Lamaj (Durrës)

Apolonia ndal Tiranën në ndeshjen e parë çerekfinale. Bardheblutë kanë barazuar 2-2 me fierakët në stadiumin “Kastrioti”, duke komplikuar kështu kualifikimin për në gjysmëfinale. Ndonëse një atmosferë e zbehtë në tribuna pasi mungonin tifozët, në fushë ky 90-minutësh ofroi lojë të bukur dhe gola. Një pjesë e parë e dominuar totalisht nga ekipi i Mërgjyshit, të cilët shënuan dy herë me anë të Ribajt dhe Uzunit, ndërsa e dyta solli reagimin e kryeqytetasve, të cilët barazuan falë Morinës dhe Karabecit.
Pjesa e parë Loja nis me Apoloninë në sulm. Në të 4-ën ka goditje dënimi, Gërxho kombinohet me Dimon, gjuan ky i fundit, Bakaj grushton i pasigurt, topi kthehet tek Uzuni që shënon, por arbitri sinjalizon pozicion jashtë loje. Pak sekonda më vonë ka edhe një pretendim për 11-metërsh për prekje të topit me dorë nga Bushiç, por arbitri nuk mendon kështu. Në të 10- ën kroati i Tiranës ka rastin ideal për të shënuar, teksa i ndodhur në zonë gjuan, por topi kalon vetëm ngjitur me shtyllën pingule. Presioni i fierakëve vazhdon, të cilët kanë kontrollin e topit. E, megjithatë, në të 24-ën minutë Morina merr një pasim nga Malaj, fton Kërçikun në të djathtë që kroson ulët në zonë, por Atanda largon rrezikun. Atë që s’e bën Tirana, e bëjnë miqtë. Në të 30-ën Apolonia kalon në avantazh. Uzuni fiton një top në mesfushë, avancon në zonë, pason te Ribaj, i cili gjuan dhe 0-1. Magani nxjerr Hyshmerin dhe fut Ndikumanën, me shpresën për të ngushtuar rezultatin, por janë sërish fierakët që bëjnë diktat. Kur pritej mbyllja e këtij fraksioni, Apolonia befason. Në të 45-ën Gërxho pason për Uzunin, që, në hyrje të zonës godet fuqishëm, topi përplaset në pjesën e brendshme të shtyllës dhe më pas përfundon në rrjetë, 0-2.
Pjesa e dytë Magani e nis me ndryshime, teksa nxjerr Kalarin për Malajn dhe Bakajn për Kërçikun. Tirana fiton freski dhe rrjedhimisht është më e qartë në fushë. Në të 46-ën Elis Bakaj ekzekuton një goditje dënimi në afërsi të zonës së Apolonisë, por topi grushtohet nga portieri Miço. Goli për bardheblutë vjen në të 49-ën, kur Morina merr një pasim nga mesfusha bardheblu, futet mirë në zonë dhe godet aty ku portieri Miço nuk mund të reagojë dhe 1-2. Bardheblutë marrin frymë dhe gjejnë forcë për të barazuar në të 65-ën. Ndikumana zbret rrezikshëm nga e djathta dhe pason për Bushiçin, i cili, në hyrje të zonës, pason për Karabecin, që me një goditje të kalibruar e çon topin drejt e në rrjetë dhe 2-2. Bakaj në të 74-ën godet drejt portës një top që nuk zotërohet si duhet nga portieri Miço. Aty është Morina, që përfiton për të shënuar, por goli nuk vlen pasi sulmuesi është nisur në pozicion jashtë loje. Si Tirana ashtu edhe Apolonia nuk pranojnë rezultatin dhe për pasojë rastet sa vijnë edhe shtohen. Në të 89-ën Tirana kërkon më çdo kusht golin e fitores dhe Kalari kroson për Morinën, i cili pasi stopon topin gjuan fluturimthi, por Miço pret në dy kohë, i ndihmuar edhe nga balta në të cilën ngec topi në afërsi të vijës fatale. Në fundin e minutave shtesë, miqtë mund të kishin shënuar golin e fitores. Në të 92-ën ka një mundësi të artë për fierakët me Uzunin, i cili, në qendër të zonës së Tiranës, merr një pasim nga Kaja, por goditja e tij është shumë e gabuar dhe përfundon mbi traun e portës. Mbyllet këtu kjo sfidë e parë çerekfinale, e cila do të përcaktojë fituesen vetëm në Fier.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"