Apolonia / Repaj rezervon fitoren numër 3: Ia dalim

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 5, 2021 | 23:56

Apolonia / Repaj rezervon fitoren numër 3: Ia dalim

Në Fier duan fitoren e tretë radhazi në kampionat. Përballë do të kenë Besëlidhjen dhe në shtëpi nuk duan që të falin më pikë. Edhe pse e dinë që nuk ka më kundërshtar të lehtë, tek Apolonia i kanë idetë të qarta: duan që të ngjiten edhe më shumë në renditje.

Apolonia

Ka filluar gara e vërtetë dhe “lufta” për vendet e para në klasifikim sa vjen e vështirësohet për çdo ekip. Për “Panorama Sport”, mbrojtësi Serjan Repaj deklaron: “Me Besën ishte e vështirë, për më tepër që luhej jashtë fushe. Ia dolëm dhe u ngjitëm disa vende më lart në tabelë. Ekipi është në rritje nga ndeshja në ndeshje dhe kemi përmirësuar ndjeshëm disa gabime. E dimë që nuk bëmë nisjen e dëshiruar, por ne do përpiqemi të bëjmë më mirë në vazhdim. Jemi vetëm në javën e shtatë. Secila ndeshje ka rëndësi të madhe për ne dhe pa dyshim kërkojmë fitoren e tretë brenda pak javësh në kampionat.

Apolonia kërkon fitoren e radhës dhe ndeshjet duhen marrë me radhë. Kjo do t’u sigurojë fierakëve një vend të sigurt në tabelën e renditjes, që të çon menjëherë në ‘Abissnet Superiore’. Deri në fund do të luftojmë për këtë objektiv, sepse ne jemi të gatshëm dhe të përgatitur që të përballemi me çdo kundërshtar”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"