Apolonia pret Orikun në shtëpi, Mërgjyshi pret fitore bindëse në fushën e re

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 23, 2019 | 10:41

Apolonia pret Orikun në shtëpi, Mërgjyshi pret fitore bindëse në fushën e re

Apolonia-Oriku ësh të ndoshta çifti më interesant i Grupit B të Kategorisë së Parë në javën përmbyllëse të fazës së parë. Luhet në Fier, rikthim i bardhejeshilëve në “Loni Papuçiu”, ku do të kërkojnë të tregojnë forcën reale përballë një ekipi që sezonin e kaluar iu bë atyre “macja e zezë”. 

mergjyshi

Këtë herë Apolonia nuk do të luajë në mjediset e akademisë, ku Oriku fitoi vjet, por në “Loni Papuçiu”, në ndeshjen inauguruese të tapetit të ri. Janë të karikuar për ta fituar këtë ndeshje fierakët dhe duket edhe në intervistën e trajnerit Mërgjyshi.

Mërgjyshi, cila është gjendja e skuadrës përpara ndeshjes me Orikun? 

Gjendja është optimale dhe kemi entuziazëm pas fitores që morëm me Devollin. Shpresoj të vazhdojmë me fitore, edhe pse e dimë që do të jetë e vështirë, por kemi gjendjen e duhur psikologjike. Kemi probleme me disa lojtarë të veçantë dhe nuk kemi shumë alternativa për ndeshjen, por gjithsesi, gjendja e atyre që do të zbresin në fushë është optimale.

Më në fund, skuadra rikthehet t’i luajë ndeshjet në stadium, ku ju keni pretenduar se mund të zhvillojë lojë më të shpejtë dhe të jetë më rezultative… 

Sigurisht që stadiumi është “habitati” i çdo ekipi. Shpresojmë të jetë një ogur i mirë fusha dhe kjo të jetë një “bonus” për motivimin e ekipit, meqenëse luajmë në një mjedis shumë të mirë dhe shumë sportiv, në një fushë të re. Të gjithë shpresojmë ta inaugurojmë me fitore, sepse ndihemi mirë, themi që ky stadium është “shtëpia” jonë dhe tani e mbrapa duhet të vazhdojmë me fitore.

apolonia

Një vlerësim për Orikun dhe si e parashikoni këtë ndeshje? 

Nuk bën përjashtim jo vetëm Oriku, por çdo ndeshje. Ne e dinim qysh në fillim të kampionatit se do të përballeshim me ndeshje të vështira dhe çdo kundërshtar ka rëndësinë e vet. Por ju them se jemi shumë të karikuar për ta kaluar me sukses këtë ndeshje, duke pasur vlerësimin maksimal për Orikun, jo nga gjendja që ka në klasifikim, por nga elementët që kanë në përbërje. Edhe ndryshimi i stolit mund të ketë efekte pozitive tek ata dhe besoj se do të vijnë të motivuar. Edhe këtë e dimë, sepse e kanë si “trenin e fundit” edhe ata për t’iu bashkëngjitur grupit kryesues, ku edhe Oriku pretendon të jetë.

E, megjithatë? 

E, megjithatë, nuk heqim dorë nga objektivi ynë për të marrë maksimumin nesër (sot), edhe për vetë faktin që luhet përpara publikut tonë dhe të gjithë kemi pritshmëri të madhe për këtë ndeshje.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"