Apolonia pret Besën, fierakët me tre mungesa. Mërgjyshi kërkon vetëm tri pikët

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2019 | 11:37

Apolonia pret Besën, fierakët me tre mungesa. Mërgjyshi kërkon vetëm tri pikët

Ndeshjet mes Apolonisë dhe Besës nuk kanë më emocionet e dikurshme, pasi këto dy skuadra luajnë prej vitesh në nivelin e dytë të futbollit shqiptar. Megjithatë, brenda këtij kompeticioni sërish përballjet mes tyre janë interesante dhe mbajnë gjallë kërshërinë e opinionit sportiv.

mergjyshi

Për javën e 7-të, në Grupin B të Kategorisë së Parë këto dy ekipe ndeshen në Fier, ku pritet një ndeshje e rivalizuar, me një Apoloni më “të detyruar” për fitore. Kështu shprehet trajneri Artan Mërgjyshi, i cili e quan “detyrë shtëpie” fitoren dhe nuk lejon hap fals ndaj kavajasve. Së pari, tekniku i Apolonisë flet për gjendjen e skuadrës, ku evidenton problemin e mungesave të shumta. “Kemi jo pak mungesa nga dëmtimet, – thotë trajneri Mërgjyshi. – Prej kohësh vuajmë dëmtimin e Sharavollit, më pas Çeka dhe Nako e së fundmi edhe Hysenshahaj, i cili është në dyshim për ndeshjen e nesërme (sotme) me Besën”.

Miqesore Apolonia - Besa

BESA

për Besën, numri 1 i stolit fierak ndan fjalët më pozitive, por kërkon patjetër fitoren nga të tijtë. “Ndeshja me Besën na kthehet në ‘detyrim’ për të fituar, por duke qenë me mendje në kokë dhe me këmbë në tokë, si i thonë fjalës. E kemi provuar në këto 6 javë të para të kampionatit se çdo ndeshje është shumë e vështirë. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të respektuar maksimalisht kundërshtarin, por nga ana tjetër duhet të shprehemi më mirë se në Pogradec dhe, nëse e arrijmë këtë gjë, them se i kemi të gjitha mundësitë ta kalojmë me sukses të plotë. Është një ndeshje jo e lehtë dhe na e vështirëson më shumë edhe fusha, sepse nuk luajmë në stadium, edhe pse quhemi të avantazhuar se jemi në ‘shtëpinë’ tonë. Pavarësisht gjithçkaje, nuk ka asnjë justifikim. Ne duhet ta fitojmë ndeshjen me Besën me të gjitha mënyrat e futbollit korrekt”, ka përfunduar trajneri i Apolonisë Artan Mërgjyshi.

Fierakët vijnë në këtë ndeshje pas barazimit në fushën e Shënkollit dhe humbjes në Pogradec, ndaj dhe rikthimi te fitorja është e vetmja mundësi për të mbetur brenda objektivit.

BUJAR RAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"