Apolonia perfekte në miqësore, trajneri shpjegon ndryshimin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 23, 2017 | 18:53

Apolonia perfekte në miqësore, trajneri shpjegon ndryshimin

Apolonia vazhdon të jetë e papërmbajtshme në ndeshjet miqësore që po zhvillon gjatë kësaj periudhe. Skuadra po tregon një formë të mirë duke paralajmëruar se do të jetë një ekip më i mirë në pjesën e dytë të kampionatit.

Fierakët kanë fituar në katër miqësoret që kanë luajtur deri tani ku më i fundit ishte triumfi të shtunën në Berat ndaj Tomorit. Apolonia është rritur ndjeshëm në lojën e saj dhe ka korrigjuar mangësitë e së kaluarës. Kjo duket te shifrat ku ekipi në katër miqësoret ka shënuar 12 gola dhe ka pësuar vetëm një. Për sa u përket përgatitjeve, gjithçka është perfekte.

Tomori - Apolonia miqesore 0-2

Çast nga miqësorja Tomori – Apolonia 0-2

Demiraj

Trajneri i skuadrës, Elidon Demiraj, është shumë i lumtur me paraqitjet që po bën skuadra. Megjithatë, ai kërkon që lojtarët të mos i kapë euforia dhe thotë se ka ende punë për Apoloninë.

“Lojërat e bukura dhe fitoret e arritura në këto miqësore të zhvilluara gjatë kësaj periudhe na japin kënaqësi pasi rrisin aspektin moral e psikologjik të skuadrës. Por, nga ana tjetër, ato nuk janë barometër për ndeshjet në vazhdim të kampionatit. Gjithashtu, në këto miqësore po vazhdojmë të testojmë edhe disa lojtarë të rinj në moshë në vazhdim të projektit që po aplikojmë si klub.

Për sa i takon miqësores së fundit me Tomorin, skuadra edhe pse është nën ndikimin e ngarkesave fizike, ishte e mobilizuar dhe e motivuar maksimalisht me mentalitetin për ta fituar atë. Skuadra në përgjithësi luajti mirë, rrjedhshëm dhe zbatoi me përpikmëri detyrat e ngarkuara, edhe pse ishte një fushë që nuk plotësonte kushtet që skuadrat të paraqisnin si duhet e sa më mirë vlerat e tyre.

Elidon Demiraj

Gjithsesi, jam i kënaqur jo vetëm nga loja e titullarëve, por nga i gjithë kontingjenti i lojtarëve që u aktivizuan. Shënuam dy gola, por rezultati mund dhe duhej të ishte më i thellë nëse do të ishim treguar më të vëmendshëm e më të saktë përpara portës kundërshtare. Gjithsesi, e rëndësishme është se skuadra luajti mirë dhe rrjedhshëm dhe zbatoi si duhet detyrat e dhëna. Dhe kjo ishte një kënaqësi për ne si drejtues kur shikojmë rritje të skuadrës në parametrat e domosdoshëm, por edhe në lojë.

Nuk kemi arritur gjithçka në këto miqësore pasi kemi ende shumë punë për të bërë në ditët në vazhdim, në mënyrë që të jemi plotësisht gati për rifillimin e kampionatit. Më gëzon fakti se jemi në rrugë të mbarë e duhet të vazhdojmë me këto ritme”, tha Demiraj.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"