Papa synon “Këpucën e Artë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 30, 2013 | 10:49

Papa synon “Këpucën e Artë”

Enriko PapaRolin më të rëndësishëm në ecurinë e suksesshme të Apolonisë në fazën e parë të kampionatit e ka mbajtur mbi shpatulla grupi i lojtarëve që kishte në dispozicion trajneri Elidon Demiraj. Në ekip ka emra me eksperiencë si Miço, Prifti, Nako, Sako, Adekunle dhe Papa, që kanë dhënë një kontribut tepër të vlefshëm. Ata u ndërthurën mjaft mirë me lojtarët e rinj dhe pa përvojën e duhur. Sulmuesi Enriko Papa, që ishte edhe shënuesi më i mirë i fierakëve me 7 gola të shënuar, në një prononcim për “Panorama Sport” bën analizën e fazës së parë. “Ka qenë një fazë e parë gjatë së cilës skuadra tregoi më së miri vlerat që ka, duke prodhuar lojëra të bukura dhe rezultative. Kryesuam për disa javë, por më tej na ndoqi pas një vetëkënaqësi e tillë, si pasojë e së cilës arritëm të merrnim vetëm barazime. Nuk pësuam asnjë humbje dhe jemi ekipi që kemi pësuar më pak gola, çka bëri që të renditemi në vendin e dytë në klasifikim. Në ekip ka lojtarë me eksperiencë dhe vlera, por edhe të rinj tepër të talentuar që tashmë kanë fituar më shumë përvojë. Në këtë mënyrë, ne të gjithë besojmë se do të arrijmë të ngjitemi një kategori më lart”, – thotë Papa. Duke iu referuar synimeve individuale, sulmuesi fierak shprehet: “Vërtet shënova shtatë gola në fazën e parë, por edhe kam humbur shumë raste të tjera shënimi. Kjo më bën që të punoj më fort në të gjitha aspektet gjatë kësaj periudhe përgatitore, dhe jam i bindur se në fazën e dytë do të shënoj dyfishin e tyre. Do të luftoj për të qenë shënuesi më i mirë i Kategorisë së Parë”.
Mikel Mbriçaj

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"