“Apolonia pa stabilitet”, skaneri i ish-trajnerit Miho: Finale e parakohshme në Berat

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 14, 2023 | 23:49

“Apolonia pa stabilitet”, skaneri i ish-trajnerit Miho: Finale e parakohshme në Berat

Marjol Miho e sheh Apoloninë në zonën “play off”. Vazhdon të mendojë se skuadra është në fazë tranzicioni, e megjithatë nuk e mohon se janë përmirësuar. Gjatë një intervistë të dhënë për “Panorama Sport”, ish-trajneri analizon gjithë rrugëtimin e fierakëve në këtë edicion.

Miho

Si e keni parë Apoloninë e javëve të fundit?

Pa stabilitet. Kanë zhvilluar ndeshje të mira me ekipet e forta, por kanë çeduar pikë me ekipe nën nivelin e saj. Janë humbur minimalisht pesë pikë, që rëndojnë në tabelën e renditjes.

Pse ndodh kjo?

Sepse Apolonia është akoma në tranzicion. Nuk është stabilizuar kurrë, veçanërisht në zhvillimin e lojës së saj. Kjo është e pritshme për vetë moshën e re që ka ky ekip, pavarësisht se unë besoj shumë te lojtarët e rinj. Kam qenë e jam ende “partizani” i tyre më i madh. Ama nuk mjaftojnë për të pasur sukses në Kategorinë e Parë. Nevojitet me patjetër gërshetimi i tyre me eksperiencën.

Shihni ndonjë lojtarë që po e bën diferencën këtë sezon?

Do të veçoja dy, sulmuesin Mario Gjata dhe gardianin Romeo Harizaj. I pari ka bërë diferencën e madhe me golat e tij dhe i dyti jep siguri për të mos pësuar.

E prisnit përmbysjen përballë Burrelit?

Sigurisht që e prisja dhe më pëlqeu shumë se si erdhi ajo. Mund të them lirisht se ishte një fitore e jashtëzakonshme karakteri. Djemtë fierakë reaguan në momentin e duhur, duke e barazuar shpejt rezu ltatin dhe më e bukura ishte që nuk kënaqeshin aspak me një pikë. Sado që goli erdhi vetëm në minutën e fundit është e qartë se këta të rinj fierakë nuk dorëzohen .

Miho

Ndeshja e radhës është me Tomorit në transfertë. E shihni si pengesë për zonën “play off”?

Ndeshje shumë e vështirë, por nuk mund ta konsideroj si pengesë. Fierakët janë shumë të motivuar dhe beratasit po ashtu, ndaj e shoh si finale e parakohshme për zonën “play off”. I besoj surprizës së madhe në Berat.

Sa e arritshme është zona “play off”?

Apolonia e ka vetë në dorë fatin e saj. Për mendimin tim zona “play off” është më se e arritshme dhe jam besimplotë për arritjen e objektivit sezonal.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"