Apolonia nuk reziston, ja rekordet negative.“Thembra e Akilit” mbeten 15 minutat e fundit të ndeshjeve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 9, 2021 | 23:25

Apolonia nuk reziston, ja rekordet negative.“Thembra e Akilit” mbeten 15 minutat e fundit të ndeshjeve

Apolonia ka humbur minimalisht 1-0 në Durrës me Teutën vendëse në javën e fundit të fazës së dytë. Ashtu si dhe në javën paraardhëse me Tiranën, fierakët nuk kanë luajtur keq, por sërish e kanë pësuar në 13-14 minutat e fundit. Pavarësisht se doli humbëse nga “Niko Dovana”, Apolonia vazhdon të mbajë vendin e tetë në renditje me 13 pikë, vetëm 1 pikë më shumë se Bylisi dhe Skënderbeu, që ndajnë dy vendet e fundit.

Teuta-Apolonia 0-0 logo

Shqetësim i vazhdueshëm për fierakët mbetet kontradikta midis lojës dhe rezultatit, çka i ka rënë në sy edhe trajnerit Kamarata. Skuadra duhet të guxojë më shumë dhe të mos ndikohet nga emri i kundërshtarit apo edhe faktori transfertë. Dhe “thembra e Akilit” te bardhejeshilët mbeten 15 minutat e fundit të ndeshjes. Nga 31 gola në 18 javë, gati 42% të tyre, plot 13 të tillë, Apolonia i ka pësuar në harkun e minutave 75-90. Në total, vetëm Skënderbeu ka pësuar më tepër se fierakët në 18 javë, plot 38 gola. Ndërkohë, Apolonia mban edhe dy rekorde negative në këto dy faza të para të Superiores.

Fierakët kanë sulmin më të dobët me vetëm 12 gola të shënuar, si dhe janë ekipi që kanë më tepër humbje: 11 të tilla në 18 javë. Vendi i shtatë në renditje, Kastrioti, ka gati dyfishin e pikëve të Apolonisë, + 11, dhe fierakët duket se gjithë betejën e tyre do ta kenë me mallakastriotët e Bylisit dhe korçarët e Skënderbeut, për të zënë vendin e tetë, që të sigurojnë minimalisht ndeshjen shtesë të mbijetesës.

“REKORDI” I SMAÇIT – Erisildo Smaçi është një nga titullarët e mesfushës së Apolonisë. Lezhjani është ndëshkuar me karton të verdhë nga gjyqtari E. Bastari në Durrës dhe do t’i mungojë skuadrës ndaj kryesuesve të Vllaznisë në ndeshjen e radhës. Ajo që bie në sy, është numri i lartë i kartonëve të verdhë gjatë këtij kampionati për mesfushorin e Apolonisë: në 17 ndeshje, plot 8 kartonë të verdhë, duke i munguar ekipit për herë të dytë, pasi ka munguar edhe në javën e 11-të në Ballsh kundër Bylisit, për të njëjtin shkak, plotësimin e 4 kartonëve të verdhë. Ndëshkimet e shpeshta kanë bërë që stafi teknik t’ia “tërheqë veshin” Smaçit, megjithatë mesfushori duket se nuk i shmanget dot luftës së fortë sportive.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"