Apolonia nuk ka “shënjestër”, Sota kundër rrymës: Miqësoret na forcuan

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 29, 2020 | 23:15

Apolonia nuk ka “shënjestër”, Sota kundër rrymës: Miqësoret na forcuan

Apolonia nuk ka “shënjestër”. Miqësorja e fundit me Skënderbeun jo vetëm u mbyll me humbje, por dëshmoi se skuadra nuk shënon dot. Edhe pse përballë kishin një skuadër thuajse të re, mungoi finalizimi. Skuadra fierake nuk e ka gjetur dot rrugën e rrjetës në 6 nga 10 testimet e zhvilluara në këtë periudhë. Sulmuesi kryesor Mario Gjata ka vuajtur dëmtime të pjesshme gjatë kësaj vere dhe pak është aktivizuar, ndërsa lojtarët e tjerë të këtij reparti pak ose aspak kanë bërë në drejtim të golit.
120252516_3382150025174939_151486129873503218_o
Vlen për t’u përmendur i talentuari Mariel Sota, i cili ka shënuar 2 gola (1 kundër kampionëve të Tiranës), në të dyja rastet i ardhur nga stoli, ndërkohë që Rimal Haxhiu, prej të cilit pritet shumë, ende do kohë për adaptim të plotë brenda grupit aktual të bardhejeshilëve. Më shqetësuese janë përballjet me ekipet e elitës. Me 1 fitore, 2 barazime, 4 humbje, kanë shënuar 4 herë dhe pësuar 7. Fierakët kanë barazuar 2-2 në Ballsh, e fundit ndeshje nën drejtimin e Mërgjyshit, e pastaj kanë fituar 0-2 në “Selman Stërmasi” me Tiranën dhe kanë barazuar 0-0 në Shkodër me Vllazninë, nën drejtimin e Kolelës këto të tjerat. 4 humbjet miqësore të Apolonisë me skuadrat superiore janë regjistruar: 2 herë nga 0-1 me Laçin, 0-2 me Bylisin dhe e fundit 0-1 me Skënderbeun. Momentalisht, veç Gjatës, lojtarë të ofensivës në Fier cilësohen edhe Zaimaj, Ejoh, Mihana, Haxhiu dhe M. Sota.
Sota6
KAPITENI – Eljon Sota është pikë referimi për prapavijën e Apolonisë e jo më kot mban shiritin e kapitenit në krahë. Edhe pse skuadra ende nuk është konsoliduar, 22-vjeçari nuk dorëzohet. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport” ai qartëson se skuadra do t’ia dalë.

“Ndeshjet miqësore na kanë forcuar dhe na kanë bërë të përmirësohemi hap pas hapi. Nuk kanë rëndësi rezultatet, por paraqitja e skuadrës në fushë. A jemi prezantuar mirë në këto miqësore? Këtë gjë e vlerëson më mirë stafi teknik dhe trajneri ynë, edhe pse unë thjesht si futbollist i kësaj skuadre mund të bëj një përcaktim të përgjithshëm duke thënë: Kemi akoma për të bërë dhe për t’u përmirësuar. Gjithmonë, sipas meje”, tha fillimisht mbrojtësi.

Kur pyetet për ndryshimet mes Mërgjyshit dhe Kolelës, ai tregohet diplomatik në përgjigje: “Secili nga trajnerët ka veçantitë e veta, tipologjinë e vet, karakteristika të dallueshme dhe të ngjashme. E përbashkëta thelbësore mes tyre është përkushtimi i të dyve për Apoloninë. Profesor Mërgjyshi i ka dëshmuar vlerat e tij, profesor Kolela pritet t’i dëshmojë me fillimin e kampionatit dhe ne kemi besim të plotë, sepse ia shohim aftësitë dhe profesionalizmin në stërvitje dhe gjatë ndeshjeve miqësore që kemi zhvilluar gjer tani nën drejtimin e tij”, përfundoi kapiteni i Apolonisë

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"