“Apolonia nuk gabon dy herë”, trajneri italian pret kthesën ndaj Shkumbinit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2021 | 10:14

“Apolonia nuk gabon dy herë”, trajneri italian pret kthesën ndaj Shkumbinit

Apolonia kërkon kthesën. Pas humbjes në start me Erzenin, këtë herë në “Loni Papuçiu” do të presin Shkumbinin. Dy herë radhazi nuk mund të gabojnë në shtëpi dhe këtë e thotë edhe Juri Kanarsa gjatë një interviste të dhënë enkas për “Panorama Sport”.

Kanarsa

Tashmë që ka një muaj me ekipin dhe ka punuar mjaftueshëm për të implementuar idetë e tij, italiani i ka të qartë edhe objektivat.

Si ka qenë ky muaj i parë në krye të Apolonisë?

Nga dita në ditë po e njoh më shumë klubin dhe grupin e lojtarëve fierakë. Secila seancë po më ndihmon që t’i njoh më shumë karakteristikat e lojtarëve që kam në dispozicion. Janë shumë të rinj në moshë, por luajnë me pasion.

Nesër (sot) vjen Shkumbini në Fier, sa e njihni kundërshtarin?

Mendoj që do të bëjmë më të mirën tonë, pavarësisht kundërshtarit që vjen këtë fundjavë në Fier. Çdo ndeshje duhet fituar në mënyrë që të kemi vazhdimësi në javët e ardhshme. Apolonia i ka synimet të qarta dhe në fushë vetëm e vetëm për të fituar.

Si paraqitet gjendja e lojtarëve përpara kësaj sfide?

Disa lojtarë nuk janë në formën e duhur fizike, ndërkohë që ata që do të luajnë nga minuta e parë do të jenë në maksimumin e tyre dhe do të tentojnë marrjen e rezultatit pozitiv ndaj Shkumbinit. Titullarët në formacionin e parë do të japin 100% e tyre në këtë takim të rëndësishëm. Ata duhet të kenë më shumë kurajë, besim dhe vendosmëri në duelet e ardhshme, pavarësisht emrit të kundërshtarit.

Çfarë përshtypjeje ju la ndeshja e parë ndaj Erzenit?

Ishte një ndeshje nga e cila mësuam shumë. E kemi analizuar pikë për pikë dhe detaj për detaj. Nuk dhamë maksimumin në fushën e blertë dhe morëm një rezultat zhgënjyes. Këtë herë përballë Shkumbinit nuk do të bëjmë më gabimet e ndeshjes së parë dhe do të kërkojmë marrjen e pikëve të plota në shtëpi.

Apolonia

Sa shanse ka Apolonia të rikthehet në Superiore?

Kampionati është i gjatë. Ne do i marrim ndeshjet me radhë dhe duhet të marrim maksimumin e pikëve. Patjetër duhet të bindim edhe në lojë. Kjo skuadër ka mjaft elementë të rinj dhe këta kanë nevojë për kohën e tyre që të japin më të mirën në fushën e blertë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"