Apolonia nuk dorëzohet, Dovedan: Duhet ta kalojmë Luzin, vetëm pikët e plota na nderojnë
Apolonia është gati për të sfiduar Luzin. Ndeshja parashikohet të jetë e vështirë, edhe pse do të luhet në stadiumin “Loni Papuçiu”. Në Fier kanë një plan: të përsërisin Besëlidhjen. Dhe nëse marrin pikët, afron edhe më shumë me zonën “play off”. Këtë besim e ka edhe vetë Veljko Dovedan. Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, trajneri sheh vetëm pikët në këtë 90-minutësh.
Të dielën rinis gara, a i shërbeu Apolonisë ky pushim?
Nuk mund ta cilësoj si pushim, për sa kohë jemi stërvitur intensivisht. Por na shërbeu që të karikojmë energjitë për sprintin final.
Si ju duket gjendja e ekipit?
Mjaft e mirë, jemi më të bashkuar se kurrë. Jemi munduar të bëjmë sa më mirë, që të korrigjojmë veten dhe të jemi të përgatitur për Luzin. Fizikisht jemi shumë mirë, psikologjikisht edhe më mirë.
E dyta ndeshje radhazi në Fier. Favor?
Në këtë moment nuk ka asnjë ndryshim, për të mos thënë që të shtohet përgjegjësia. Kampionatit po i vjen fundi dhe ndeshjet e mbetura për t’u luajtur do të jenë më të forta. I tillë është ky i së dielës. Si ne edhe Luzi luajmë zonën “play off”. Di të them me siguri që unë dhe gjithë djemtë e mi jemi gati për të marrë një rezultat pozitiv.
Zona “play off” kalon nga Luzi 2008, do ta kaloni këtë pengesë?
Më kryesorja, e kemi ne fatin tonë në dorë. Kaq më mjafton. Ne do të futemi në fushë për të dhënë e marrë maksimumin. Kjo është rruga e vetme për të arritur objektivin. Vetëm pikët e plota na nderojnë në këtë moment të vështirë, ndaj do të luajmë pa presion, me shumë durim e vendosmëri.
Do të jetë në gjashtëshe Apolonia juaj?
I qëndroj, sigurisht. Besoj shumë dhe të gjithë së bashku do të luftojmë për zonës “play off”. Mendja jonë është vetëm te Luzi, pikërisht se e vlerësojmë kundërshtarin. Mos harroni, ndeshjet merren një e nga një. Po kaluam me sukses Luzin, gjithçka për ne është më e lehtë. Fitorja është shpëtimi ynë i vetëm, këtë e them me bindje të plotë.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"