Apolonia njeh vetëm “firo”, në prag largimi janë dy lojtarët që shkëlqyen në Kategorinë Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 19, 2021 | 18:08

Apolonia njeh vetëm “firo”, në prag largimi janë dy lojtarët që shkëlqyen në Kategorinë Superiore

Apolonia mbetet aktive në merkato, por deri tani vetëm dalje ka pasur. Kështu, mund të përmendim largimin e Mario Vasilj, Dejan Andonit, Ksement Mehmetit, Efiong Ejoh, Aleksandro Zaimajt, Eljon Sotës, Romeo Harizajt dhe Rimal Haxhiut, teksa pritet që kësaj liste t’i shtohen së paku edhe dy futbollistë të tjerë: Redon Mihana dhe Mario Gjata.

Mihana-Gjata

Ndërkaq, për sa u përket përforcimeve, nuk ka asgjë konkrete, pavarësisht shumë emrave të lakuar si dëshira të skuadrës fierake.

E vetmja e re është rikthimi i mesfushorit Sali Kumani nga huazimi te Tomori i Beratit. Megjithatë, Apolonia nuk heq dorë nga kërkimi i lojtarëve të përshtatshëm për të plotësuar organikën e vet. Dhe këtë herë fokusi është tregu vendës, te të dyja skuadra që janë rrëzuar në Kategorinë e Dytë.

Bëhet fjalë për dy mbrojtës që sezonin e fundit janë aktivizuar përkatësisht me Orikun dhe Elbasanin. I pari është Kabir Tahiraga, 22 vjeç, që mund të luajë në qendër dhe në të majtë të mbrojtjes. Është produkt i akademisë së Vllaznisë, por më vonë ka luajtur me Dinamon, Partizanin B, Luftëtarin dhe së fundi për Orikun, ku kampionatin e shkuar është aktivizuar 18 ndeshje.

Lojtari tjetër që mund të vijë në Fier është 20-vjeçari Arlind Ballgjini. Mbrojtësi nga Tirana ka dalë nga moshat e Akademisë së Futbollit, por ka luajtur për Elbasanin në Kategorinë e Parë, duke dëshmuar cilësi të mira. Në dy sezone të aktivizuar Ballgjini ka qenë titullar i padiskutueshëm.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"