Apolonia nis punën me trajnerin e ri, Kolela: Jam fanatik dhe kam rregullat e mia

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 3, 2020 | 12:14

Apolonia nis punën me trajnerin e ri, Kolela: Jam fanatik dhe kam rregullat e mia

Kronikë e një largimi dhe një zyrtarizimi të pritshëm. Kjo ka qenë situata e së mërkurës në Fier. Siç qe paralajmëruar nga “Panorama Sport”, kjo mesjavë ka sjellë zhvillime të reja në kampin fierak. Është zyrtarizuar largimi i trajnerit Artan Mërgjyshi dhe është prezantuar përpara skuadrës pasardhësi i tij. Ai është Xhovani Kolela, i ardhur pak javë më parë si drejtor teknik në stafin e Apolonisë, por ngjarjet morën tjetër rrjedhë dhe tanimë 54-vjeçarit Kolela i besohet drejtimi i skuadrës barshejeshile në Superiore.
118779416_341124047032318_1594118491915141528_n
KOLELA – Tekniku i ri i Apolonisë është prezantuar pasditen e kësaj të mërkure nga administratori i klubit, Olsi Bregu. Italiani është i njohur për lojtarët e Apolonisë, pasi prej gati 3 javësh ka mbajtur pozicionin e drejtorit teknik te kjo skuadër. Në fjalën e tij të parë si kryetrajner, Kolela ka evidentuar faktin se skuadrën e ka njohur dhe studiuar përpara se të vinte në Shqipëri, si dhe ka shprehur besimin te forca e grupit dhe puna e përbashkët për një sezon të suksesshëm. “Unë e kam njohur skuadrën fillimisht përmes pamjeve filmike dhe kam krijuar një përshtypje të parë pozitive për mënyrën e lojës, dëshirën, grupin. Ishte kjo një ndër arsyet kryesore që unë pranova të bëhesha pjesë e këtij klubi si drejtor teknik. Tani më është besuar detyra e trajnerit, një sfidë e re, e vështirë, por jo e pamundur kur jemi të gjithë bashkë. Unë kam rregullat dhe kërkesat e mia, që nuk janë të shumta, por jam fanatik në kërkesën e zbatimit të tyre. Në grupin tonë ka lojtarë me cilësi shumë të mira, që bënë të mundur edhe suksesin e ngjitjes së skuadrës në Superiore. Kam besim të plotë te ju dhe, duke u stërvitur me seriozitet e pasion, do të bëjmë mirë dhe do të jemi të suksesshëm edhe në Superiore”, ka thënë trajneri i ri i Apolonisë, Xhovani Kolela.
118795159_1586857431518141_6465092624536291482_n
54- vjeçari italian ka një përvojë mbi 20-vjeçare si trajner, duke drejtuar ekipe të ndryshme italiane në të shkuarën, si: Trevizo, Komo, Siena, Viçenca etj. Ai spikat për një lojë me karakter sulmues dhe tashmë pritet të shihet se sa do ta implementojë modulin e lojës së tij tek Apolonia, duke nisur që nga kjo e shtunë, ku fierakët po planifikojnë miqësoren e radhës.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"