Apolonia nis me përforcimet, zbulohet afrimi i parë i fierakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 4, 2020 | 23:19

Apolonia nis me përforcimet, zbulohet afrimi i parë i fierakëve

Pasditja e së hënës ka përkuar me startin e përgatitjeve për sezonin e ri për skuadrën fierake. Pushimet zgjatën fare pak, as dy javë dhe tashmë gjithë vëmendja është përqendruar te kampionati i ri, ku Apolonia do të përfaqësohet në Superiore. Së pari, ka qenë një takim i presidentit të Apolonisë, Koço Kokëdhima, me drejtuesit e klubit dhe stafin teknik të skuadrës. Kreu i klubit fierak i ka falënderuar të gjithë për arritjen e objektivave dhe i ka uruar për suksese në Superiore, duke i motivuar ata, edhe pse ka theksuar se gara do të jetë shumë më e fortë dhe më e vështirë.

Apolonia-Besa

ÇOÇLLI – Ashtu siç ishte paralajmëruar nga gazeta jonë, është prezantuar dje edhe ndihmësi i parë i trajnerit Mërgjyshi për sezonin e ri. Ai do të jetë Nikolin Çoçlli, i cili ka drejtuar më parë disa ekipe, mes të cilave Partizanin dhe së fundmi Luftëtarin në Superiore, ku dha dorëheqjen në shkurt të këtij viti. Por nuk është tekniku korçar e vetmja goditje e bardhejeshilëve.

NDRAXHI – Apolonia ka mbyllur marrëveshjen me mesfushorin Glejdis Ndraxhi. 22- vjeçari durrsak është aktivizuar dy sezonet e fundit te Besa e Kavajës, ku ka qenë titullar i padiskutueshëm, me një prezencë prej 3320 minutash në 40 ndeshje. Ardhja e tij pritet të shtojë cilësinë dhe konkurrencën në mesfushë, ku Apolonia ka një numër të konsiderueshëm futbollistësh. Gjithashtu, veç Ndraxhit në seancën e parë stërvitore ka pasur edhe shumë lojtarë të rinj, ardhur nga rrethet dhe nga kryeqyteti.APOLONIA BESA

Ecuria e mirë e moshave të akademisë dhe hapësira që marrin të rinjtë tek ekipi i parë, ka bërë që shumë futbollistë të turren drejt “Loni Papuçiut”, duke e parë Apoloninë si trampolinën e suksesit të tyre. Në seancën e parë që ka nisur në orën 19:00, kanë qenë të gatshëm thuajse të gjithë futbollistët që mbyllën sezonin e kaluar, shtuar këtu edhe portierin Shumeli, të kthyer nga huazimi. Mungesat e vetme kanë qenë portieri Çako, nigeriani Ejoh dhe Zaimaj, që ndodhet në Greqi. Për këta të tre nuk ka ende diçka të sigurt, nëse do të nënshkruajnë kontratë të re ose jo. Gjithsesi, Apolonia është ndër të parat ekipe që nis përgatitjet në fushë për sezonin e ri dhe kjo tregon se fierakët synojnë ta marrin seriozisht Superioren.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"