“Apolonia ngushëllohet me lojën”, Haxhiaj: Me Bylisin, barazimi rezultati më i mundshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 17, 2021 | 21:59

“Apolonia ngushëllohet me lojën”, Haxhiaj: Me Bylisin, barazimi rezultati më i mundshëm

Mjeshtri i sportit, Romeo Haxhiaj, mes shumë skuadrave të tjera në karrierën e tij, ka luajtur edhe për Apoloninë e Vllazninë. Haxhiaj i bën një analizë ndeshjes së fundit në Shkodër, si dhe prek disa probleme të skuadrës fierake. “Ishte një ndeshje në dukje e lehtë për Vllazninë, por që Apolonia nuk ia bëri aspak të tillë, – thotë Haxhiaj. – Fierakët janë përpjekur dhe kanë zhvilluar një lojë të mirë, duke rrezikuar për të marrë edhe barazimin, por si gjithmonë në raste të tilla vendos përvoja, cilësia dhe Vllaznia e shfrytëzoi mirë, duke marrë 3 pikët që i duheshin”. Më tej, Haxhiaj e paralajmëron Apoloninë, që të mos kënaqet vetëm me lojën, por të jetë një skuadër më pragmatiste.

Haxhiaj

“U bënë disa javë që Apolonia luan mirë, por humbet me 1 gol të pësuar. Kjo gjë është ngushëllim, por i pavlerë kur mungon rezultati, pasi në futboll llogaritë bëhen me pikë. Apolonia duhet të jetë më pragmatiste, sidomos me ekipe cilësore, sepse nuk ka pse të luajë e trysnuar. Presioni i rezultatit ndihet me rivalet direkte, jo me ekipet e tjera. Skuadra duhet të jetë më cinike dhe më agresive në fazën sulmuese, por për këtë duhet një mesfushë më me fantazi krijuese. Kjo gjendje e Apolonisë nuk është gjë e re, por e paparashikueshme që nga merkatoja e verës apo dhe kjo dimërorja: mungesa e përforcimeve cilësore. Skuadra aty do të luhatet, në vendet 8-10, pasi as që mendohet të rikuperojnë diferencën me ekipet që kanë sipër vetes. Duket se shpresat e Apolonisë janë vetëm në ndeshjet direkte me Bylisin e Skënderbeun dhe sikur e kanë ndarë mendjen që objektiv të kenë vendin e tetë në renditje, por as ky pozicion nuk është i sigurt për mbijetesë”, vijon Haxhiaj.

NDAJ BYLISIT – Ish-sulmuesi ndalet dhe te dueli i mbijetesës mes Apolonisë dhe Bylisit, duke parashikuar një ndeshje të fortë dhe të luftuar. Sipas tij, çdo rezultat është i mundshëm, edhe pse Apolonia luan në fushën e vet. “Në ndeshje të tilla derbi, asnjëherë nuk ka luajtur rol pozicioni i skuadrave në renditje. Viteve të fundit, përgjithësisht ka dominuar Bylisi, por në këtë ballafaqim të radhës, kemi një situatë disi ndryshe. Mallakastriotët kanë javë të tëra pa pikë dhe kjo gjë patjetër që ndikon në psikologjinë e skuadrës, por, nga ana tjetër, ata nuk kanë se ç’të humbasin dhe jam i bindur se do të bëjnë maksimumin për të fituar.

Të mos harrojmë që Bylis, pavarësisht ndryshimeve të konsiderueshme në merkato, është skuadër që ka më shumë përvojë se Apolonia dhe sikur ua kanë marrë dorën fierakëve në takimet direkte. Por, edhe Apolonia është e motivuar ka zhvilluar disa lojëra të mira javëve të fundit, pavarësisht humbjeve. Do të ishte fatale që të humbisnin në shtëpi një ndeshje me një rivale direkte. Parashikoj një duel të fortë, të rivalizuar dhe gati të barabartë, me Apoloninë pak më të avantazhuar, që ka mundësinë për të thelluar diferencën me dy vendet e fundit, por mendoj gjithashtu që edhe Bylisi do të luajë shumë i karikuar për të fituar. Ndoshta barazimi do të jetë rezultati më i mundshëm i kësaj sfide”, thotë për “Panorama Sport” ish-sulmuesi i Apolonisë, Romeo Haxhiaj.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"