Apolonia ndryshon marsh në merkato, zbardhen 3 synimet e fierakëve

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 22, 2021 | 0:43

Apolonia ndryshon marsh në merkato, zbardhen 3 synimet e fierakëve

Apolonia ndryshon marsh për sa i përket merkatos. Klubi po mendon jo vetëm për daljet, për shitjen e disa futbollistëve cilësorë që kanë shumë kërkesa, por nga ana tjetër, po operon në treg edhe për zëvendësimin e tyre.

Apolonia

Fierakët e kanë zhvendosur interesin e tyre në Ballkan, ku po zhvillohen bisedime për tre lojtarë, dy mesfushorë maqedonas dhe një sulmues kroat.

FILIP STOJÇEVSKI – 22 vjeç, mesfushor qendre, i cili mund të marrë përsipër edhe organizimin e lojës së skuadrës, si dhe të përshtatet dhe në detyrat mbrojtëse. Ka një karrierë të konsiderueshme në kampionatin e Maqedonisë së Veriut, ku është aktivizuar me Metalurgun, Vardarin, Rabotniçkin dhe sezonin e fundit me Renovën. Gjatë vitit 2020 ka luajtur në Gjeorgji për skuadrën Sion, si dhe ka qenë më herët edhe pjesë e kombëtares maqedonase U-19.

KRISTIJAN VELINOVSKI – Një mesfushor luftarak, i cili mund të luajë në të dy krahët. Sezonin e fundit është aktivizuar 30 ndeshje dhe ka shënuar 2 gola tek Akademia Pandev, skuadër prej së cilës Apolonia  vjet kërkoi mbrojtësin Dime Dimov. Velinovski është vetëm 22 vjeç, ka qenë edhe pjesë e Shpresave të Maqedonisë së Veriut dhe shihet si një lojtar që do të zëvendësonte në mënyrën më të mirë largimin e Rimal Haxhiut apo Redon Mihanës.

APOLONIA MERKATO

JOSIP SPOLJARIÇ – Sulmuesi 24-vjeçar nga Osijeku duket një ëndërr e guximshme, por jo e pamundur për Apoloninë. Kroati mund të shndërrohet në një sulmues race te fierakët, pasi përvoja dhe dhuntitë e golit nuk i mungojnë. Është aktivizuar për Osijek dhe Dugopolje në Kroaci, te Santarcangelo në Seria C të Italisë, ndërsa sezonin e fundit në Kroaci tek Istria, ku shënoi 4 gola në 25 ndeshje. Spoljariç është aktivizuar dhe për kombëtaret e moshave kroate, nga U-15 deri në U-19, duke shënuar 7 gola në 33 takime ndërkombëtare.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"