Apolonia mes dy zjarreve, reagon mesfushori i fierakëve: Kjo garë s’ka favorit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2023 | 10:32

Apolonia mes dy zjarreve, reagon mesfushori i fierakëve: Kjo garë s’ka favorit

Apolonia u është futur sikleteve, ndaj sot duhet të fitojë me çdo kusht. Barazimi në “Loni Papuçiu” i mban ende në zonën e rrezikut, ndaj kthesa bëhet domosdoshmëri. Sot udhëtojnë në Cërrik, atje ku i pret Turbina. Mund të konsiderohet një finale, pasi gabimet do t’u kushtonin shumë. Mund të konsiderohet edhe si një shans i fundit për të dyja skuadrat, duke ditur që secila prej tyre ka një objektiv për të arritur.

hebeja

Së pari, Apolonia është mes dy zjarreve. Për momentin nuk ka arritur asgjë dhe rrezikon gjithçka, ndërsa Turbina dëshiron me çdo kusht daljen nga zona e ftohtë.

Këto llogari i kanë bërë edhe vetë lojtarët, çka kuptohet edhe nga deklarata e Rubin Hebejës. Për “Panorama Sport”, mesfushori thotë:

“E kemi nisur vitin mbarë, por jemi ende larg pritshmërive të fillimsezonit. Lamë dy pikë të rëndësishme ndaj Korabit dhe më vjen realisht keq për këtë gjë. Ky kampionat ka treguar se askush nuk është favorit. Ndaj Turbinës do të jetë një ndeshje e fortë, që ne e kemi përgatitur me detaje për ta fituar. Duam të largohemi sa më shpejt nga zona e ftohtë, për të qenë më të qetë psikologjikisht në javët e ardhshme. Ata kanë objektivin e tyre, por unë shpresoj që t’ia dalim. Është shumë herët për të diskutuar mbijetesën, zonën ‘play off’ dhe akoma më herët ngjitjen në elitë. Në këtë moment, Apolonia dëshiron thjesht dhe vetëm të largohet nga vendet e fundit të renditjes. Nuk jemi aty ku duhet, por kjo nuk na demoralizon aspak”.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"