Apolonia merr formë, firmosin 5 lojtarë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 16:54

Apolonia merr formë, firmosin 5 lojtarë

Fierakët nisin konkretizimet, madje me jo pak, por pesë emra, ndonëse 2 kanë qenë kontingjent nga sezoni i viteve të kaluara. Gjithsesi, e hëna ka qenë një ogur dhe sinjalizim i mbarë për skuadrën dhe tifozët, teka kanë nënshkruar dhe janë bërë pjesë e ekipit për dy sezonet e ardhshme 5 futbollistë përvoje.

apolonia

FIRMAT

Konkretisht, Tulant Hysenshahaj (1991), mesfushor që do të luajë sezonin e gjashtë radhazi te fierakët; Ervis Troka (1995), mbrojtës, në sezonin e pestë tek Apolonia; Rudin Nako (1987), aktivizuar më parë veç Apolonisë edhe me Egnatian, Bylisin dhe Korabin, rikthehet në Fier për të kontribuar për një Apoloni Superlige; Jurgen Hidershaha (1993), mesfushor, një nga pikat e forta në kaq sezone tek Albpetroli, një njohje e vjetër e Mihos; Orgest Buzi (1994), mbrojtës, fierak, aktivizuar më parë me Bylisin, Sopotin, Dinamon dhe Himarën, një tjetër përforcim pozitiv për Apoloninë.

Apolonia

Të pestë lojtarët kanë nënshkruar marrëveshjet përkatëse në prani të administratorit të klubit, Olsi Bregu, stafit teknik dhe menaxherit. Është një startim pozitiv i javës për skuadrën fierake, teksa në ditët në vijim pritet që të ketë të tjerë emra që do të plotësojnë organikën e Apolonisë, si futbollistë të rinj të ardhur nga skuadra të tjera dhe nga akademia fierake, ashtu dhe lojtarë me peshë, të cilët janë prej kohësh në fokusin e bardhejeshilëve.

Me këtë ritëm, Miho nuk ka pse të “qahet” gjatë kampionatit, ndërsa synohet që të krijohet një ekip cilësor që të luftojë për ngjitjen në Superiore.

STRATEGJIA

Duket se këtë vit ka një akordim më të mirë mes palëve: administrator-trajner-menaxher dhe kjo evidentohet në emrat që i serviren “piacës” së Apolonisë: lojtarë të rinj të talentuar dhe të perspektivës, por edhe futbollistë me përvojë dhe peshë në “skakierën” futbollistike.

Apolonia

Këtë vit, tifozët fierakë janë gjithë “sy e veshë” për dinamikën e zhvillimeve brenda ekipit, ndërsa është rritur së tepërmi besimi se do të ndërtohet një ekip që do synojë rikthimin në Superiore.

BUJAR RAMA 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"