Apolonia, Mërgjyshi: Më të dobëtit në klub, duhet reflektuar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 20, 2019 | 20:49

Apolonia, Mërgjyshi: Më të dobëtit në klub, duhet reflektuar

Vendi i tretë është shumë pak për Apoloninë. Zyrtarisht janë skuadra me renditjen më të ulët nga të gjitha ekipet garuese të këtij klubi. Nëse ekipet e moshave dhe femrat janë në pozita kryesuese, skuadra e Artan Mërgjyshit, jo.

mergjyshi

Batuta e parë e trajnerit përballë një statistike të tillë vjen përmes një ngritjeje instiktive të supeve dhe buzëqeshjes dashamirëse pasuese: “Duhet të reflektojmë! Nuk kemi qenë të vëmendshëm në këtë renditje brenda ‘familjes’. Në zonën e medaljes jemi edhe ne, edhe pse ky vend nuk na siguron ngjitjen”. Përpara se të flasë për ekipin e tij, tekniku thotë fjalët më të mira për ekipet e tjera të klubit fierak.

“Një punë shumë e vlerësueshme dhe dua të evidentoj që trajnerët e grup-moshave 15-19 vjeç, si dhe i ekipit të femrave, janë jo më shumë se 35-36 vjeç dhe meritojnë fjalët më të mira për pasionin e tyre. Rezultatet flasin për ta. Mes tyre, unë jam në vendin e tretë, të fundit (qesh). Le ta quajmë një ecuri relativisht të mirë deri tani, paçka se jo atje ku mund të ishim. Kemi pasur javë pas jave problemet tona: dëmtime, mungesa, formën jo të duhur sportive (Ofori), largime (K. Prifti), pa harruar se nuk krijuam dot atë që donim që në fillim të kampionatit në një repart të rëndësishëm si mbrojtja. A e dini çfarë? Më duhet të them se, pavarësisht pretendimit tim që pres më shumë nga ekipi në total, për mbrojtjen nuk kam çfarë të them. Gjysma e repartit është e përshtatur me lojtarë jashtë pozicionit natyral. Por, kjo nuk do të thotë se i gjetëm ‘fajtorët’, pasi kur çedon një repart, është faji i lojës së skuadrës në kompleks. Pra, edhe në këtë kontekst, faza defensive nuk duhet parë vetëm te lojtarë ‘fiks’ të këtij reparti, por duhet analizuar shumë metra më përpara, atje ku nis faza mbrojtëse e skuadrës”, thekson 51- vjeçari.

Së fundi, ndalet në ndeshjen e fundjavës ndaj Orikut, duke apeluar për kujdes maksimal, pavarësisht besimit që ka te forca e grupit të tij. “Është i dyti sezon që Oriku bën një prezantim dinjitoz në këtë kategori. Janë ekip i respektueshëm dhe që meriton vlerësim maksimal. Nuk e them për kortezi, por Apolonia ka të shkuarën e hidhur vjet me këtë ekip, në një moment shumë vendimtar. Përtej së shkuarës, mendoj se do të jemi gati për të zhvilluar një lojë të bukur dhe me 3 pikë në fund të 90-minutëshit”, përfundoi për “Panorama Sport” Artan Mërgjyshi.

Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"