Apolonia me drejtor italian, ja situata e fierakëve në merkato

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 22, 2020 | 15:27

Apolonia me drejtor italian, ja situata e fierakëve në merkato

Italiani Xhovani Kolela do të jetë drejtori teknik i skuadrës fierake. Kolela, 54 vjeç, ka lindur në Salerno, i pajisur me licencën A të UEFA-s, ka një karrierë të konsiderueshme mbi 20- vjeçare si trajner, teksa ka drejtuar ekipe të shumta, si Beluno, Trevizo, Sandona, Komo, Renate, Siena, Basano, Viçensa dhe sezonin e fundit Rimini.

apolonia

Marrëveshja mes klubit fierak dhe Kolelës është arritur dhe prezantimi i italianit do të bëhet ditën e hënë, ndërkohë që ditët e para të javës pasardhëse pritet të mbërrijë në Shqipëri edhe trajneri i përgatitjes fizike, edhe ky italian.

REFUZIMET E MERKATOS– Përtej emrave të deklaruar, fierakët kanë qenë aktivë për të bërë goditje befasuese edhe me emra të spikatur futbollistësh që kanë luajtur në Kategorinë Superiore. I tillë ka qenë edhe rasti i mbrojtësit Esin Hakaj. 24- vjeçari shkodran shihej si një alternativë e mirë për linjën e majtë të Apolonisë dhe bisedimet përparuan gjer në arritjen e akordit në parim, por në çastin e fundit, ish-futbollisti i Vllaznisë, Teutës dhe Partizanit ka ndërruar mendje dhe ka bërë prapakthehu, duke rinovuar me “demat e kuq”.

Një tjetër shkodran, ky i vetëofruar tek Apolonia, ka qenë Antonio Marku. 28-vjeçari, gjithashtu mbrojtës i majtë, ka një përvojë të konsiderueshme në karrierën e tij, pasi ka luajtur për Dinamon, Laçin, Vllazninë, Kukësin dhe sezonin e fundit në kampionatin kosovar te Drenica dhe Vëllaznimi.

antonio marku

Marku vlerësohet nga bordi përzgjedhës i klubit fierak, por shkak i refuzimit për të qenë pjesë e Apolonisë është mosha e tij, pasi fierakët duket se janë të prerë në këtë pikë: lojtarë të eksperiencës, mbi moshën 23 vjeç, do të merren vetëm nga tregu i huaj.

Në këtë sens, ka dështuar edhe një tjetër propozim që i është bërë stafit të Apolonisë, për të afruar sulmuesin lushnjar Mikel Canka. 33- vjeçari nuk është penalizuar vetëm nga mosha, por edhe nga fakti se ai ka qenë pjesë e Apolonisë në sezonin 2014-2015, ku në 15 ndeshje vetëm 1 gol realizoi, duke qenë një nga prezantimet më të dobëta të sulmuesit lushnjar. Mosha e Cankës dhe dështimi i tij i mëparshëm me Apoloninë, e kanë mbyllur që në momentin e parë mundësinë e rikthimit të 33- vjeçarit.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"