Apolonia mban “peng” trajnerin Demiraj, të gjithë presin të shohin një skuadër për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 8, 2017 | 17:59

Apolonia mban “peng” trajnerin Demiraj, të gjithë presin të shohin një skuadër për elitën

Apolonia mbylli një prej sezoneve më të dështuara, ku e nisi si pretendente për elitën, por përfundoi duke luftuar në 5-shen e mbijetesës.

Apolonia

Fierakët që në fillim të sezonit të kaluar shpalosën strategjinë e re të klubit, duke larguar një pjesë të mirë të titullarëve dhe afruan futbollistë të rinj duket se nuk e kishin menduar mirë. Apolonia i shpëtoi rënies në Kategorinë e Dytë, në një kohë që ra dukshëm edhe mbështetja e tifozëve.

SHQETËSIMI

Numri i pakët i tifozëve në ndjekje të skuadrës në ndeshjet e kampionatit të kaluar ishte një fenomen shqetësues në Fier. Një mesatare prej rreth 100 tifozësh për ndeshje e ndoqën ekipin në kampionatin e kaluar.

Tifozet

E gjitha erdhi për shkak të paraqitjes shumë të dobët të ekipit, ku jo vetëm që nuk u ngjit asnjëherë në nivelin e një skuadre pretendente për elitën, por përfundoi duke luftuar për mbijetesën.

SITUATA

Menjëherë pas përfundimit të kampionatit, lojtarët dhe stafi teknik kanë nisur pushimet. Për momentin Apolonia është pa trajner, pasi Elidon Demirajt i ka përfunduar kontrata dhe drejtuesit e klubit ende nuk kanë vendosur nëse do t’ia rinovojnë ose jo.

Elidon Demiraj

Pritet që java e ardhshme të jetë vendimtare për sa i përket zyrtarizimit të teknikut të ri, nëse do të jetë Demiraj ose jo. Më shumë mundësi ka që trajneri fierak të vazhdojë të drejtojë sërish skuadrën edhe për kampionatin e ardhshëm, pasi ai e njeh mirë grupin dhe lojtarët që ka në dispozicion.

Ndërkaq, për sa u përket lojtarëve, pavarësisht se për disa prej tyre që kanë shkëlqyer në sezonin e kaluar ka pasur oferta, klubi fierak nuk ka lëshuar asnjë që të largohet. Të gjithë futbollistët janë me kontrata dhe kjo i mban të lidhur me Apoloninë. Gjithsesi, java e ardhshme do të jetë shumë e rëndësishme për ekipin.

Do të mësohet emri i trajnerit të ri si edhe strategjia që do të kenë fierakët. Drejtuesit deri tani nuk kanë bërë asnjë njoftim në lidhje me atë çfarë pritet.

MIKEL MBRIÇAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"