Apolonia-Lushnja në aneks, ish-trajneri i verdhejeshilëve: Turp që derbi i Myzeqesë…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 18, 2021 | 11:22

Apolonia-Lushnja në aneks, ish-trajneri i verdhejeshilëve: Turp që derbi i Myzeqesë…

Derbi i Myzeqesë midis Apolonisë dhe Lushnjës do të luhet në aneksin stërvitor pranë stadiumit “Loni Papuçiu”. Ndryshe nga dy sezone më parë, kur u zhvillua në stadiumin e Ballshit, këtë sezon përballja do të luhet në aneks. Ish-trajneri i Lushnjës, Xhavit Sefa, e quan turp që derbi i Myzeqesë të luhet në një aneks dhe jo në stadium.

LUSHNJA 1

Në opinionin e dhënë për “Panorama Sport”, Sefa shtron pyetjen se a i plotëson kushtet aneksi i stadiumit të Fierit për të zhvilluar ndeshje të kampionatit, pasi ky ambient nuk u krijon mundësi tifozëve që ta kryejnë misionin në mbështetje të skuadrave të zemrës.

Mbase vetë gjendja e dy skuadrave në kampionat shkon paralelisht me ambientin ku do të luhet ndeshja Apolonia-Lushnja. “Ky është një turp, një diskreditim që i bëhet futbollit myzeqar. Ndeshjen mes tyre e luajnë në një aneks stërvitor.

Çfarë kushtesh plotëson ky aneks për një ndeshje të Kategorisë së Parë? Tifozët ku do ta shikojnë ndeshjen? Është situata që flet qartë. Lushnja po rrezikon rënien në Kategorinë e Dytë. Edhe Apolonia nuk jep siguri.

Një gjendje e paimagjinueshme kjo, sepse nuk ka interes për futbollin. Unë nuk e kuptoj se çfarë bën Bashkia e Lushnjës dhe kryetarja e bashkisë. Po shikon se si ekipi po bie në Kategorinë e Dytë”, deklaroi ish-trajneri Xhavit Sefa.

ALBAN ALUSHI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"