Apolonia krenohet me talentet, klubi nis “gjuetinë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 9, 2020 | 17:59

Apolonia krenohet me talentet, klubi nis “gjuetinë”

Apolonia rikthehet në elitën e futbollit shqiptar jo thjesht si fituese e Grupit B, por duke sjellë me vete një model që duhet marrë shembull. Nuk është arritje “apriori” dhe as rastësi ngjitja në Kategorinë Superiore, por efekt i “reaksionit zinxhir” të funksionimit të këtij klubi.

apolonia

Arritjet e klubit këtë sezon nuk kanë nevojë për komente, pasi që nga U-15, U17, U-19 e gjer te futbolli i femrave, fierakët janë kampionë, finalistë për trofeun dhe vetëm vajzat janë të dytat në renditje, por njëherësh finaliste të Kupës. Dhe ajo që vlen mbi gjithçka: Apolonia “e rritur” – kampione e Grupit B të Kategorisë së Parë, dy javë përpara fundit të garës.

Po cili është boshti dhe “zbulimet” e kësaj Apolonie me moshë të re, që theu edhe parashikimet e më optimistëve me arritjen e saj. Pjesë e analizës sonë është evidentimi i më të spikaturve në çdo rol, produkte të akademisë fierake.

ROMEO HARIZAJ – 21 vjeç, 1800′ në 20 ndeshje, 3 kartonë të verdhë. Një nga portierët më të mirë jo vetëm në Kategorinë e Parë, pjesë e Kombëtares U-21, spikat për qetësi, siguri dhe maturitet. Një nga “gardianët” më të mirë në qarkullim në lojën me këmbë. I lakmuar edhe nga ekipe me peshë të Superligës, si Kukësi, por Harizaj gjer tani i ka qëndruar besnik klubit “mëmë”, duke qenë garanci e madhe e prapavijës ekstreme të Apolonisë.

ELION SOTA – 22 vjeç, 1980′ në 22 ndeshje, 2 kartonë të verdhë. Është kapiteni i Apolonisë pas largimit të Hysenshahajt. I stabilizuar tanimë si qendërmbrojtës, ka qenë edhe pjesë e Kombëtares U-21, i vetmi lojtar i fierakëve që i ka luajtur të gjitha ndeshjet të plota këtë sezon, si në kampionat, ashtu edhe në Kupë dhe prej kohësh ndaj tij kanë nisur kërkesat nga ekipe të elitës dhe jo vetëm. Shiriti i ka rritur jo vetëm përgjegjësinë, por edhe cilësinë në lojë. Prania e tij në fushë krijon më shumë siguri dhe besim te pjesa defensive e skuadrës dhe lojës së Apolonisë në tërësi.

REDON MIHANA – 21 vjeç, 1778′ në 21 ndeshje, 8 gola, 3 kartonë të verdhë, 1 karton i kuq. Mesfushor i avancuar, i linjës së majtë, me një staturë të tipit Stiv Mekmanaman dhe që dallohet për instinktin e veçantë si shënues. E premtoi golin e munguar ndaj Lushës dhe e realizoi, duke qenë “vula definitive” e Apolonisë së sapongjitur. Edhe ky pjesë e Kombëtareve të moshave gjer tek U-21 dhe objekt i skautëve të ndryshëm brenda dhe jashtë Shqipërisë. 22 gola në 56 ndeshje për fanellën e Apolonisë, janë tregues i qartë për cilësinë e këtij futbollisti.

MARIO GJATA – 20 vjeç, 1495′ në 21 ndeshje, 14 gola, 3 kartonë të verdhë. Është një “9” tipik, por Mario Gjata nuk është “dembeli tipik” i qendërsulmuesit. Shpesh ai vihet në shërbim të lojës së skuadrës, tërhiqet, zhvendoset në krahë dhe mbrapa, madje spikat edhe për altruizmin ndaj shokëve të ekipit, e dukshme kjo në asistet e dhëna prej tij. Vetëm para pak ditësh mbushi 20 vjeç dhe gjer tani është “Këpuca e Artë” e Kategorisë së Parë me 14 golat e shënuar.

Edhe pse jo në kondicionin e duhur fizik, ai sakrifikoi 45 minuta ndaj Lushës dhe i çeli rrugën fitores më të rëndësishme të Apolonisë. Ai “flet” në fushë, me lojën dhe golat e tij – këtë di të bëjë më mirë Mario Gjata, për të cilin janë rritur “bonuset” dhe interesimi i menaxherëve brenda e jashtë vendit, si dhe hulumtimet e trajnerit të Kombëtares U-21, Alban Bushi.

Gjata Apolonia

TË TJERËT – Por nuk mbarojnë me kaq talentet e Apolonisë, që janë prodhime “bio” të saj apo marrë nga skuadra të tjera, qysh në moshën 17-18 vjeç. Omeri, Ymeraj, Mehmeti, Asllanaj, Qosanj, R. Hebeja, Levendi, Kardhashi, M. Sota – janë prodhim i pastër i shkollës fierake të futbollit; Zoga dhe Kumani ardhur nga Berati, por quhen “të rritur” tek Apolonia, e po kështu Jeton Krasniqi, kavajasi që ka shkëlqyer më së shumti tek U-19 e Apolonisë, për të mos harruar talentet me një të ardhme të paralajmëruar, si 16- vjeçarët Merkaj, Kaçanolli apo të tjerë.

Por sfida tanimë është Kategoria Superiore. A do të mundet kjo skuadër të përfaqësohet denjësisht në elitën e futbollit shqiptar? A mundet një Apoloni me përbërje “adoleshentësh” të qëndrojë gjatë në elitë apo do të marrë “ashensorin” e kthimit prej andej nga erdhi në fund të sezonit të ardhshëm? Projekti dhe premtimet e drejtuesve të klubit fierak janë optimiste për një Apoloni “të bukur” dhe për një model që i ka munguar Superligës, por e ardhmja jo fort e largët do të vërtetojë gjithçka.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"