Apolonia kërkon autokritikën, Shanaj: Humbja në Pukë na shtoi “inatin”, likuidojmë Tomorin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 18, 2022 | 23:48

Apolonia kërkon autokritikën, Shanaj: Humbja në Pukë na shtoi “inatin”, likuidojmë Tomorin

Apolonia kërkon autokritikën përballë Tomorit. Nëse duan që të mbeten në garë për vendin e tretë, duhet që të likuidojnë një rival direkt. I këtij mendimi është edhe mesfushori Mateo Shanaj, i cili paralajmëron vetëm fitore.

Apolonia

Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, ai ndalet edhe te humbja e fundit, që e quan të pamerituar. Nuk dëshiron ta bëjë dramë, ama qartazi thotë se ua ka shtuar inatin.

U thyet pas gati 2 muajsh. Çfarë ndodhi në Pukë?

Shpërdoruam 3-4 raste të pastra në pjesën e parë, ndërsa Tërbuni na ndëshkoi me të vetmen mundësi të rrezikshme që pati. Ishte një ndeshje që e humbëm vetë, sesa për meritë të kundërshtarit. Pavarësisht se dolëm pa pikë nga ajo transfertë, nuk demoralizohemi. Me beratasit do të bëjmë autokritikë. Tomorin e kemi rival direkt, ndaj duhet ta fitojmë këtë ndeshje.

Si paraqitet atmosfera në kampin tuaj pas 19 javëve kampionat?

Jemi më se të motivuar për vazhdimësinë dhe në harmoni të plotë. Humbja e fundit nuk e ka ulur ritmin, përkundrazi.

Keni luajtur rregullisht në mesfushë. Cili ka qenë momenti juaj më i mirë në këtë sezon futbollistik?

Fillimisht falënderoj trajnerin, që më ka besuar një vend të rëndësishëm në mesfushë. Javë pas jave kam dhënë maksimumin në stërvitje. Ndërkohë që në ndeshjet zyrtare kam dhënë edhe më shumë se 100%. Momenti im më i mirë deri tani në kampionat është goli i përmbysjes kundër Korabit në Fier, që erdhi në sekondat e fundit. Asokohe gjendeshim në një pozitë të vështirë dhe na ndihmoi më pak për vazhdimësinë.

Ndeshjen e radhës e luani me Tomorin në shtëpi. Çfarë të presim nga Apolonia në këtë supersfidë të javës së 20-të?

Luajmë në aneksin e stadiumit “Loni Papuçiu”, ndaj premtojmë fitore përpara të gjithë tifozëve fierakë. Është ndeshje vendimtare për betejën e vendit të tretë, ndaj do të futemi në fushë vetëm për të marrë pikët e plota. Humbja e fundit ndaj Tërbunit na e ka shtuar “inatin” që të fitojmë supersfidën e javës së 20-të me Tomorin.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"