Apolonia, kapiteni Sota s’ka dyshime: E eliminojmë Luftëtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 12, 2020 | 12:00

Apolonia, kapiteni Sota s’ka dyshime: E eliminojmë Luftëtarin

Fierakët e kanë shkëputur paksa vëmendjen nga ndeshja me Besën për kampionat, duke u fokusuar te sfida e sotme për Kupën e Shqipërisë, teksa do të luajnë në Gjirokastër ndaj Luftëtarit vendës. Skuadra e Mërgjyshit ndihet jo pak komode në këtë përballje, pasi takimin e parë e ka fituar me rezultatin e pastër 3-0. Sot mbase është “e lejueshme” një humbje ndaj një ekipi të Superligës si Luftëtari, por assesi eleminim. Ca më tepër që është një skuadër thuajse krejt e re kjo Apoloni e 2020-ës dhe e kanë gati “autosfidë” këta futbollistë për ta bindur trajnerin Artan Mërgjyshi për vlerat që kanë. 

Apolonia

KAPITENI 

Eljon Sota, vetëm 21 vjeç, është kthyer në liderin e Apolonisë në fushë. Në mungesë të Taulant Hysenshahajt të dëmtuar, është qendërmbrojtësi Sota ai që ka marrë shiritin e kapitenit. Prej 4 sezonesh pjesë e Apolonisë së parë, me 70 ndeshje të aktivizuara (kampionat + Kupë), ka krijuar një staturë dhe pjekuri përtej moshës që ka. Kapiteni Sota flet për dy përballjet e radhës së skuadrës së tij, duke evidentuar optimizmin për sukses të dyfishtë.

sota-750x430

“Ndodhemi në momentin tonë më të mirë të këtij sezoni, mendoj unë, – e nis Sota, – dhe tregues janë rezultatet, renditja dhe ecuria në të dyja kompeticionet. Kemi lënë pas një javë që na dha kryesimin dhe kemi përpara ndeshjen e kthimit me Luftëtarin për Kupë. Shkojmë me epërsi të 3 golave në Gjirokastër dhe as që na shkon ndër mend eliminimi, edhe pse futbolli është lojë pa llogari dhe pa logjikë shifrash. Rezultatet pozitive, forma, fryma optimale dhe gjendja psikologjike e grupit janë elemente që na bëjnë optimistë. Eufori? Absolutisht, jo, përkundrazi, jemi modestë e nuk po ‘rrahim gjoksin’. E përjetojmë qetë edhe kryesimin e kampionatit, sepse gara vazhdon. Janë 9 javë deri në fund dhe Grupi B ka një rivalitet ‘të tmerrshëm’ që ‘të bën me zemër’, pasi çdo javë mund të ndryshojë renditja e kreut.

Apolonia Elbasani

“Vetëm 1 pikë diferencë është asgjë nëse nuk vijohet me fitore. Gjithsesi, e kemi mendjen te Luftëtari hë për hë, Besa vjen më vonë, pasi ne i marrim ndeshjet një nga një”, është shprehur fillimisht qendërmbrojtësi. A ka forcë kjo Apoloni me kaq mungesa dhe me përbërje shumë të re ta finalizojë objektivin e vet, ngjitjen në Superligë? Sota nuk e ka as fijen më të vogël të dyshimit. “Patjetër që po. A nuk është kjo skuadër e re që ka arritur vetëm fitore në kaq ndeshje që ka luajtur? Me këtë nuk dua të them se lojtarët e dëmtuar, të cilët janë pjesë shumë e rëndësishme jona, nuk na vlejnë, përkundrazi, janë faktor shumë i rëndësishëm dhe një garanci plus për objektivat tanë. Por, edhe në mungesë të tyre, kjo Apoloni e re e ka treguar qartë se çfarë di të bëjë dhe, pa dyshim, meritë ka edhe grupi i lojtarëve që janë të padisponueshëm për momentin, sepse kjo është një Apoloni e tërë, unike, me të njëjtët objektiva dhe skuadra vijon me të njëjtën psikologji e frymëzim. A e dini çfarë? Kjo skuadër e re ka nevojë për ta, sepse rritet siguria dhe ka më shumë garanci, por ama, të jeni të bindur që nuk ka xhelozi dhe smirë nga asnjë palë. Çdo sukses i kësaj skuadre të re është brohoritur fort nga shokët tanë që mungojnë në fushë, të cilët e kanë shijuar suksesin njësoj sikur të luanin vetë. Dhe kjo harmoni mendoj se është faktor esencial te kjo Apoloni”, përfundoi Sota prononcimin për “Panorama Sport”.

 Bujar Rama

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"