Apolonia kampione për moshën mesatare, fierakët janë ekipi më i ri i së Parës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 29, 2019 | 17:55

Apolonia kampione për moshën mesatare, fierakët janë ekipi më i ri i së Parës

Pas përfundimit të fazës së parë të një kompeticioni, vëmendja kryesore fokusohet në statistikat e ecurisë së çdo ekipi, duke evidentuar kahun pozitiv dhe negativ, arritjet dhe mangësitë. 

apolonia

Në këtë kuadër, mbi rezultatet dhe tabelën e klasifikimit, janë faktorë të tjerë që duhen evidentuar për një vlerësim më të qartë në ecurinë e çdo ekipi të Kategorisë së Parë gjatë kësaj faze. Pa dyshim që pikën preferenciale të këtij shkrimi kemi Apoloninë, por assesi jashtë elementit krahasues me gjithë kompeticionin, ku bardhejeshilët garojnë.

Çfarë shfaqi skuadra fierake gjatë kësaj faze të parë? Uljengritje, madje para dy javëve të fundit gati pabesueshmëri te tifozët e vet dhe opinioni publik në tërësi. Por dy fitoret radhazi në dy ndeshjet e fundit i mjaftuan ekipit të Mërgjyshit të ngjitej në treshen kryesuese, me distancë vetëm 2 pikë nga Pogradeci i vendit të parë. Përtej vlerësimit të jashtëm, kjo Apoloni e sivjetshme duhet analizuar më në detaje për të kuptuar më tepër se shifrat punën e bërë nga gjithë skuadra, nën “dirigjimin” e Artan Mërgjyshit.

aw

Fakti më i rëndësishëm është se Apolonia është ekipi me moshën më të re ndër 20 pjesëmarrësit e Kategorisë së Parë në këto 9 javë të para, nisur nga lojtarët më të aktivizuar për secilin ekip. Bashkë me Kastriotin, Apolonia është ekipi më i mirë jashtë fushe gjatë kësaj faze, me 10 pikë të grumbulluara, është skuadra që vetëm dy mbrojtës natyralë ka në përbërje (Nako, Duda) dhe është ekipi që ka pësuar më pak gola në Grupin B, 7 të tillë (vetëm Kastrioti 4 gola të pësuar, Erzeni 5 dhe Besëlidhja 6 gola, në Grupin A, kanë mbrojtur më mirë se fierakët në këtë fazë të parë).

MËRGJYSHI – Por është një garë e gjatë dhe “llogaritë” vazhdojnë. Ai që nuk joshet kollaj nga statistikat, por kërkon punë dhe efektivitet të vazhdueshëm, është trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi. “Kemi bërë një fazë të parë jo të keqe, do ta quaja unë. E them kështu, sepse kishim mundësi për më tepër. Ka një aludim se grupi ynë nuk ka ekipe të forta dhe se ka rënë cilësia, por nuk mendoj kështu, madje Grupi B, sipas meje, është më i fortë dhe më me rivalitet se Grupi A.

1

Mbase grupi ynë nuk ka ekipe që të bëjnë diferencën, por këtu qëndron edhe rivaliteti e konkurrenca. Gjithsesi, le të fokusohemi te skuadra. Kemi bërë mirë në dy javët e fundit, sidomos në rezultat, por kjo nuk do të thotë asgjë, sepse gjithçka mbetet pas. Ta marrim lehtë me Elbasanin do të jetë gafë prej nesh. Asgjë më shumë nuk do të doja nga lojtarët e mi, thjesht të tregojnë më të mirën e tyre dhe të bëjnë lojën e dy ndeshjeve të fundit”, shprehet për “Panorama Sport” trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"