Apolonia kalon ngërçin, ndërprerja e kampionatit vjen me porosi për fierakët

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 12, 2019 | 17:46

Apolonia Kategoria e pare Të fundit

Apolonia kalon ngërçin, ndërprerja e kampionatit vjen me porosi për fierakët

Apolonia është rikthyer te fitorja pas plot tri javësh mungesë dhe e ka bërë në një transfertë mjaft të vështirë, në momentin e duhur dhe ndaj një skuadre të fortë si Devolli, që mbante vendin e dytë në renditje para kësaj jave. 

Apolonia

Fierakët e kanë nisur takimin me një lojë “asfiksuese” dhe kapiteni Taulant Hysenshahaj ka shënuar pa u mbushur ende minuta e dytë (1′ 46″). Goli i shpejtë ndikoi në moralin e të dyja skuadrave dhe në ecurinë e kësaj ndeshjeje. Fraksionin e parë Apolonia nuk i la thuajse asnjë hapësirë Devollit vendës dhe në minutën e 44-t Andoni i dha siguri skuadrës bardhejeshile me golin e dytë. Pjesën e dytë Devolli e rihapi ndeshjen dhe fierakët vuajtën jo pak trysni.

Trajneri Artan Mërgjyshi në fund ka “buzëqeshur” dhe e ka shijuar fitoren, pasi “e shkundi” mirë skuadrën dhe e përgatiti me nerv para sfidës me Devollin. Pavarësisht mungesave të shumta, fierakët kanë zhvilluar në Bilisht ndeshjen e tyre më të mirë të këtij kampionati, pas asaj me Lushnjën. Vendi i tretë, 14 pikë, 4 më pak nga Lushnja dhe 2 më pak nga Pogradeci i vendit të dytë dhe me mundësinë e mirë për 3 pikë në javën e fundit të fazës së parë, ku Apolonia do të presë Orikun në Fier.

DËMTIMET – Dy javë kohë, pas ndërprerjes së kampionatit ngaqë luan Kombëtarja, janë një mundësi e mirë për rikuperimin e disa lojtarëve të dëmtuar te fierakët, sidomos në mbrojtje. Kjo gjë do të jetë një plus për stafin teknik, pasi do të ketë një organikë më të plotë. Në fakt, Apolonia dështimin ndër vite e ka pasur në fushën e vet dhe me skuadra të ashtuquajtura “të lehta”.

Vjet, për shembull, goditjen “KO” që e la jashtë pesëshes së parë ia ka dhënë pikërisht kundërshtari i radhës, Oriku, në një ndeshje përcaktuese dhe të luajtur në Fier. Ja pse Apolonia duhet të jetë e kujdesshme për të mos rënë më në gabimet e së shkuarës. Trajneri Mërgjyshi e ka shumë të qartë situatën dhe këto dy javë do të punojë me shumë qetësi për të eliminuar defektet që ka vënë re deri tani.

BUJAR RAMA




Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama Sport" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA SPORT: https://www.facebook.com/groups/sportionline/

www.minuta90.com