“Apolonia ka marrë maksimumin me rivalët”, Sota i përgjigjet Bazes: Po merren me “këmbët e kalorësit”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 28, 2020 | 12:52

“Apolonia ka marrë maksimumin me rivalët”, Sota i përgjigjet Bazes: Po merren me “këmbët e kalorësit”

Apolonia do të përballet ditën e sotme me Besën. Do jetë një ballafaqim, ku fierakët do kërkojnë të vijojnë në rrugën e fitoreve për të hedhur një tjetër hap drejt Superiores. Në dy ndeshjet e fazës së 3-të Apolonia ka fituar me dy rivalët kryesorë, 3-1 me Lushnjën në Fier dhe 0-1 në Pogradec. Ndeshja me kavajasit mbyll “xhiron” e parë të zonës “play off” të Grupit B.Eljon Sota

SOTA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, kapiteni Eljon Sota i kthen përgjigje Bazes, që e quante Apoloninë rivalin më të dobët. “Dua ta nis nga ankimet e lushnjarëve. Ata vazhdojnë të gjykojnë ‘si i varen këmbët kalorësit’, ndërsa ne shohim përpara. E kemi nisur mirë, kemi marrë maksimumin në dy ndeshjet e para dhe kemi shtuar besimin për të vijuar me të njëjtin ritëm.

Kemi fituar me dy rivalët, duke dëshmuar forcën e grupit dhe seriozitetin me të cilin punojmë për Superioren. Jemi të kujdesshëm, asgjë nuk e marrim lehtë, por vazhdojmë me të njëjtin përkushtim. Fitoret me Lushnjën dhe Pogradecin kanë mbetur pas, tani e kemi mendjen te Besa. Ndonëse luajmë në fushën tonë dhe me një kundërshtar që duket se ka dalë nga objektivi, nuk e kemi ulur tempin. Kemi shumë respekt këtë ekip. Kavajasit kanë një skuadër simpatike dhe nuk e kemi pasur të lehtë në dy ndeshjet që kemi luajtur. Ata kanë barazuar në Fier dhe ne kemi fituar 3-2 në fushë asnjanëse.

Besa drejtohet nga trajneri Kashami, i cili më parë ka drejtuar Apoloninë dhe e njeh mirë lojën tonë. Nuk lëshojmë dhe do kërkojmë të vazhdojmë serinë e fitoreve, për të mos u lënë asnjë mundësi afrimi rivalëve. Në çdo ndeshje të mbetur Apolonia do luajë vetëm për fitore”, shprehet kapiteni Sota.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"