Apolonia “italiane” nis punën me… Nervin. Ja situata në kampin fierak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 1, 2020 | 20:55

Apolonia “italiane” nis punën me… Nervin. Ja situata në kampin fierak

Artan Mërgjyshi, që shpalli Apoloninë kampione të Kategorisë së Parë, është largimi i dytë nga stafi teknik i klubit fierak. Më parë është larguar zv.trajneri Edmond Kodra, njëherësh trajneri që doli kampion me Apoloninë U-19. Pra, në pak javë, largohen dy drejtues të stafit teknik.

mERGJYSHI

Nëse Kodra ka qenë jo me shumë eksperiencë, Mërgjyshi ka një përvojë të konsiderueshme, pasi ka drejtuar në Superiore dhe në Kategorinë e Parë ekipe si: Dinamo, Kastrioti, Besa, Korabi, Bylisi, Laçi dhe Apoloninë në tri sezone të ndryshme, ku edicionin e fundit e riktheu në Superiore.

Në total, Mërgjyshi e ka drejtuar Apoloninë në 70 ndeshje kampionati, 18 prej të cilave në Superiore dhe ka pasur këtë bilanc: 35 fitore, 11 barazime, 24 humbje, me golavarazh: 114-79. Largimi i Mërgjyshit e përball Apoloninë me një situatë jo fort komode, kur kampionati fillon pas më pak se dy javësh dhe gjer në këto momente bardhejeshilët janë skuadra më inaktive në përforcime.

BESIMI TE TË HUAJT – Pankina e Apolonisë do t’i besohet 54-vjeçarit italian Xhovani Kolela, i cili ka një përvojë si trajner në nivele të ndryshme të futbollit italian, por sfida në kampionatin shqiptar do të ishte e para për atë. Në stafin teknik të Apolonisë do të jetë edhe një italian tjetër, përgatitësi fizik Daniele Nervi, i cili dje ka drejtuar ekipin në stërvitje.

Apolonia Elbasani

Nervi ka pasur një detyrë të tillë edhe te Vllaznia, kur shkodranët drejtoheshin nga Baldo Ranieri dhe më vonë ka qenë pjesë e stafit të Armando Cungut te Kukësi. Të huajt në staf pritet të shtohen edhe me një videoanalizues, i cili mund të jetë serb ose italian. Vetëm Nikolin Çoçlli, zv.trajner i parë, dhe Eduard Miço, trajner i portierëve, do të jenë “pjesa shqiptare” e pankinës së Apolonisë. Me zyrtarizmin e Kolelës si trajner i skuadrës fierake, atëherë 54-vjeçari italian do të bëhej i katërti trajner i huaj në historikun e Apolonisë.

I pari trajner i huaj që ka drejtuar Apoloninë ka qenë rumuni Silviu Dumitresku (qershor-tetor 2006), që më vonë drejtoi edhe Besën e Kavajës; më pas, boshnjaku Esad Karishik (nëntor 2008- nëntor 2009), që më pas drejtoi edhe Elbasanin; dhe i fundit ka qenë serbi Rade Miliç (janar-mars 2019), vetëm 33 vjeç asokohe.

B. RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"