Apolonia humbet kapitenin, por rikuperohet sulmuesi që u transferua në Superiore/ Diop: Ja pse nuk kthehem në Shqipëri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 16, 2022 | 23:33

Apolonia humbet kapitenin, por rikuperohet sulmuesi që u transferua në Superiore/ Diop: Ja pse nuk kthehem në Shqipëri

Lajme të mira për Apoloninë sa i përket repartit ofensiv. Më në fund sulmuesi Mario Gjata po stërvitet me grupin dhe mund të thuhet se e ka lënë pas dëmtimin dhe përgatitjet e diferencuara.

Gjata

Gjata i është bashkuar grupit dhe në kampin fierak shpresojnë shumë që sulmuesi të jetë gati për sezonin e ri, që nis më 3 shtator. Një lojtar shumë i rëndësishëm për bardhejeshilët, madje golashënues i padiskutueshëm në sezonin 2019-2020, kur Apolonia siguroi ngjitjen në Kategorinë Superiore.

Rikthimi i 22-vjeçarit tek Apolonia pas huazimit te Dinamo vjen në kohën e duhur, pasi është rritur shumë konkurrenca në Kategorinë e Parë. Apolonia mbylli javën e pestë të përgatitjeve me miqësoren e së shtunës ndaj Egnatias. Fierakët triumfuan me rezultatin e pastër 2-0, duke arkivuar fitoren e dytë në tri miqësoret e zhvilluara deri tani.

Vendimtar ndaj Egnatias rezultoi sulmuesi Erald Maksuti, i cili shënoi dy herë brenda katër minutash në pjesën e parë. Situata në kampin fierak duket e qetë, gjë që vihet re edhe në seancat stërvitore. Trajneri Dalipi është munduar që përpos përgatitjeve intensive, t’i bëjë sa më atraktive seancat, duke rritur edhe harmoninë brenda ekipit.

DIOP NUK KTHEHET

Nëse rikthimi i sulmuesit Gjata është një lajm i mirë, Apolonia duhet të “hidhërohet” për largimin e kapitenit Ismaila Diop, i cili nuk është paraqitur në asnjë seancë stërvitore gjatë kësaj periudhe, duke u lënë “targën” fierakëve. Mbrojtësi senegalez ka luajtur në dy sezone e fundit me bardhejeshilët dhe tani ka ardhur momenti për të mbyllur kapitullin me Apoloninë.

ISMAILA DIOP 1

I pyetur ekskluzivisht nga “Panorama Sport” për mungesën e tij në këtë fazë përgatitore tek Apolonia, mbrojtësi Diop pohoi shkurtimisht se nuk e mendon rikthimin në Fier, kjo edhe për faktin se ka probleme me dokumentacionin.

“Vijoj të jem pranë familjes sime në Itali dhe të them të drejtën nuk e mendoj rikthimin në Shqipëri. Nuk mund të them asgjë më shumë, por disa probleme me dokumentacionin më shtyjnë të qëndroj në Itali”, u shpreh për gazetën ish-kapiteni i Apolonisë, Ismaila Diop.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"