Apolonia hidhet në merkato, testohet me ekipin fierak… Ibrahimoviç

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 21, 2020 | 11:50

Apolonia hidhet në merkato, testohet me ekipin fierak… Ibrahimoviç

Ibrahimoviç do të testohet për dy ditë tek Apolonia. Ka mbërritur në Shqipëri pasditen e së dielës dhe të hënën i është nënshtruar testimit të trajnerit Mërgjyshi. Sigurisht, nuk është “Ibra” i Milanit, bëhet fjalë për mbrojtësin serboboshnjak të linjës së majtë, Ermin Ibrahimoviç. 21- vjeçari është aktivizuar më parë në kampionatin serb, me skuadra si FK Josanica, Novi Pazar dhe FK Tutin.Apolonia Elbasani

Fierakët nuk kanë kohë për të humbur me testime të gjata dhe vendimi për këtë futbollist pritet të merret që sot. Kujtojmë se Apolonia ka një të shkuar pozitive me lojtarë të kësaj kombësie, që spikatën në Fier sidomos gjatë kohës kur drejtonte bashkëkombësi i tyre, trajneri Esad Karishik. Krahu i majtë ka qenë problem dhe shpresohet që këtë herë klubi të ketë goditur në shenjë.

EKIP GJYSMAK

Apolonia ishte katandisur si “kokoshi në thelë” në seancën e djeshme stërvitore. Vetëm 11 futbollistë ka pasur në dispozicion trajneri Mërgjyshi. Arsyeja ka të bëjë me dëmtimet e shumta (Sharavolli, Smaçi, Andoni, Hysenshahaj, Omeri, Mehmeti, Gjata), Duda mungonte për arsye familjare dhe pjesa e të rinjve luajtën për Apoloninë U-19 në Kupë.

Cili është problemi? Mbase pak rëndësi ka numri i lojtarëve në një seancë, pasi mungesat janë të justifikueshme, por si do të bëjë nesër në kampionat ekipi i parë? Sepse të rinjtë nuk mund të luajnë dy ndeshje brenda 1 dite apo brenda 24 orësh, një për Apoloninë U-19, ku janë titullarë dhe një për Apoloninë e parë, ngaqë kjo skuadër ka nevojë për ta, sepse dështoi në merkato.Apolonia2

Nëse do ta bënin diçka të tillë, të rinjtë e Apolonisë do të thyenin rekordin e të famshmit Zbignjev Bonjek, që më 1985-ën luajti 2 ndeshje brenda 24 orësh (me Juventusin në Bruksel dhe të nesërmen me Poloninë në Shqipëri, ku shënoi golin e fitores për polakët). Të heqësh një titullar nga U-19- ta për ta mbajtur rezervë dhe “mbushës” protokolli, kjo i dëmton të dyja skuadrat e klubit.

Ca më keq, një lojtar i moshave që ka luajtur 1 ditë më parë për të rinjtë protokollohet për “pompim” organike të nesërmen tek ekipi i parë, teksa dihet qartë se nuk ka mundësi fizike të luajë. Po, ky falsitet “protokollar” ka ndodhur shpesh edhe më parë te fierakët. Kjo është situata aktuale tek Apolonia, në muajin e parë të 95-vjetorit të saj të “lindjes”…

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"