Apolonia gati për derbin me Lushnjen, Branica: Ata eksperiencën, ne freskinë e mentalitetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 20, 2019 | 15:29

Apolonia gati për derbin me Lushnjen, Branica: Ata eksperiencën, ne freskinë e mentalitetin

Apolonia-Lushnja mbetet kryefjala e javës së dytë në Grupin B të Kategorisë së Parë. Janë dy ekipet në dukje më pretendues të këtij sezoni, ndaj dhe përballja mes tyre tërheq një vëmendje të gjerë të opinionit sportiv, që shkon përtej tifozërisë së dy qyteteve.

Apolonia-gezon-me-trajnerin

Kërshëria dhe interesi shtohet, duke pasur parasysh faktin që ndeshja luhet në fushë asnjanëse, në Ballsh, çka e vështirëson një parashikim paraprak se cili ekip do të jetë favorit. Bardhejeshilët, plot ambicie dhe dëshirë, një skuadër e bazuar kryesisht te të rinjtë, kanë përballë Lushnjën me një përbërje me më shumë përvojë se fierakët.

BRANICA – Megjithatë, asgjë nuk e tremb Apoloninë, pasi lojtarët e kësaj skuadre e kanë marrë “në sy” objektivin madhor dhe nuk stepen ndaj asnjë kundërshtari. Klejdis Branica është sulmuesi kryesor i fierakëve këtë edicion, me një përvojë të konsiderueshme në ekipe të tjera, mes të cilave edhe Lushnja. Sulmuesi peqinas e vlerëson ish-skuadrën, që do ta ketë kundërshtare këtë fundjavë: “Për Lushnjën, e kam thënë edhe më parë, ruaj kujtime nga më të mirat dhe ka ende miq shumë të mirë atje, ku mund të veçoj Cankën e Bazen, – thotë Branica.

Branica

Gjithsesi, Lushnja është e shkuara tanimë dhe do të luaj për ta fituar këtë ndeshje si futbollist i Apolonisë. Si ndihem në një derbi të tillë? Kam luajtur edhe herë të tjera kundër tyre, madje vjet u kam shënuar në dy ndeshje, por ka të tjera emocione dhe mbresa ApoloniaLushnja dhe nuk mund të krahasohet me Egnatia-Lushnja. Flas në aspektin e traditës dhe rivalitetit. E kam provuar këtë ndjesi e përgjegjësi kur kam qenë pjesë e Lushnjës dhe kam luajtur kundër Apolonisë”. Branica është i bindur se do të jetë një ndeshje e vështirë, ku të tre rezultatet janë të mundshëm, por beson dhe parasheh Apoloninë fituese, edhe pse nuk do të luhet në Fier.

“Në pamje të jashtme, zhvillimi i ndeshjes në Ballsh duket sikur favorizon kundërshtarin, por nuk mendoj kështu. Vërtet Lushnja ka një ekip cilësor dhe me lojtarë të eksperiencës, por Apolonia ka freski, dëshirë dhe mentalitetin e duhur. Do të jetë një takim shumë i fortë, i vështirë dhe me rivalitet, ku çdo rezultat është i mundshëm. Skuadra që do të bëjë më pak gabime, që do të luajë më me kujdes dhe më me ambicie, do të dalë fituese dhe unë besoj fort se do të jetë Apolonia, por këtë do e tregojë fusha.

Goli im? Çdo lojtar e dëshiron këtë gjë, aq më tepër ne sulmuesit. Dua të shënoj ndaj Lushnjës, por nuk do të festoj, pasi është pjesë e etikës sime sportive e personale dhe nuk e kam bërë asnjëherë më parë kur kam shënuar ndaj ish-ekipeve ku jam aktivizuar më hershëm”, – thotë sulmuesi i Apolonisë, Branica. Apolonia-Lushnja luhet të dielën, në orën 16:00, në stadiumin “Adush Muça” të Ballshit. Javën e parë të dyja skuadra kanë marrë 3 pikë, Apolonia 0-1 ndaj Elbasanit dhe Lushnja 4-1 ndaj Shënkollit.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"