EKSKLUZIVE/ Apolonia fiksohet me italianët, fierakët prezantojnë trajnerin 45-vjeçar

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 19, 2021 | 12:06

EKSKLUZIVE/ Apolonia fiksohet me italianët, fierakët prezantojnë trajnerin 45-vjeçar

Juriy Kanarsa do të jetë trajner i ri i Apolonisë. Fierakët janë fiksuar pas italianëve, ndërsa zyrtarisht emërojnë të radhës. Një ikën me xhepin plot dhe një tjetër vjen. Manuele Blazi dha lamtumirën në mënyrën më të keqe, duke mos respektuar marrëveshjen dhe pa dhënë detaje. Është mjaftuar me një mesazh të thatë:

JURIJ KANARSA

“Nuk kthehemi më!” Dhe nuk ka vonuar gjetja e pasardhësit të tij dhe sërish me “lajmësi” të Daniele Deli Karrit. Kryepankina e re fierake do të jetë Juriy Kanarsa, i cili ka mbërritur pasditen e vonë të së martës dhe presidenca fierake ka marrë vendim të menjëhershëm për t’i besuar stolin. Prezantimi është bërë në orën 16:00, përpara ndeshjes me Burrelin. Kanarsa e ka ndjekur nga afër miqësoren, por nuk ka dhënë asnjë prononcim për median, duke preferuar heshtjen.

KUSH ËSHTË?

Juriy Kanarsa është 45 vjeç, i lindur në Torino më 22 prill 1976. Ish-mbrojtës i Peskarës, Fermanës, Livornos, Rexhinës, Frozinones, Salernitanës, Arecos, Savonës, Rodeng Saianos dhe Rasinjano Seit si lojtar dhe si trajner ka drejtuar ekipet e moshave të Livornos që nga 2014-ta, tri vitet e fundit me skuadrën Primavera.

Operacioni për Kanarsën është negociuar nga Deli Karri dhe është dakordësuar menjëherë nga klubi fierak. Dario Dian, Bledar Vashaku dhe Denis Duda do të jenë ndihmësit momentalë të trajnerit të ri, në pritje të sugjerimeve të Deli Karrit për ndonjë emër tjetër nga Italia.

Pati një moment hipotetik se fierakët do të negocionin për një trajner shqiptar kësaj here pas largimit të Blazit, por Kokëdhima vazhdon t’u besojë italianëve, edhe pas kaq zhgënjimeve prej tyre në stolin e Apolonisë. Një tjetër fakt është se pankinën e Apolonisë gjatë këtyre dy ditëve e kanë refuzuar jo pak trajnerë shqiptarë të kontaktuar nga klubi fierak.

Arsyeja ka qenë projekti i klubit, çka nuk u jep shumë hapësirë trajnerëve për të arritur objektivin e ngjitjes në elitë. Klubi kërkon objektiva maksimalë, por me lojtarë të rinj. Trajnerët e huaj joshen nga ballina prezantuese e klubit, pa ditur çfarë ndodh më pas. Dhe, kur “nuhasin” të vërtetën, ikin, siç bëri edhe Blazi.

JURIJ KANARSA 1

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"