“Apolonia është forcuar”, Krasniqi skanon ecurinë e tij dhe të ekipit: Golat po më bëhen “avaz”
Jeton Krasniqi nuk po di të ndalet. Shënoi edhe në Shijak, duke u shndërruar në një “bomber” të vërtetë. Janë 8 gola të shënuar në 16 ndeshje, çka e kthejnë në pretendent për “Këpucën e Artë”.
Gjatë një interviste të dhënë për “Panorama Sport”, sulmuesi paralajmëron se ky është vetëm fillimi për të dhe Apoloninë.
Nuk e bën dramë pikën e marrë në Shijak, ndonëse mendon se meritonin më shumë. Edhe pse kalendari u rezervon një tjetër transfertë, këtë herë mendon se fati do të jetë me ta dhe nga Peqini do të kthehen fitimtarë.
Ishit aq pranë fitores në Shijak, por në fund ju barazuan. Ju vjen keq që nuk morët më shumë se një pikë?
Ishte një ndeshje shumë e fortë dhe këtë e dinim, ndaj i kishim marrë masat. Duke parë dhe pozicionin në renditje që ka Erzeni, ishim parapërgatitur. E megjithatë, në Shijak shkuam me ide të qartë për të marrë pikët e plota. Shënuam të parët dhe dominuam në lojë, por në fund të takimit nuk arritëm të mbanim rezultatin e dëshiruar. Pika e marrë në transfertën e parë të këtij viti na motivon.
Shënuat sërish, duke konfirmuar se jeni ju “bomberi” i Apolonisë. Sa gola premtoni deri në fund të kampionatit?
Jam i lumtur që shënova në një ndeshje të rëndësishme, për më tepër ndaj një ekipi pretendent për “Abissnet Superiore”.
Nuk di të them se sa gola do të bëj deri në fund të sezonit, por besoj se nuk do të ndalem. Edhe në javët e ardhshme do ta gjej rrjetën, pasi po më bëhen “avaz” (qesh). Fatmirësisht, ndihem mirë fizikisht dhe synimi im i vetëm është të ndihmoj skuadrën për objektivin final.
Nga njëra transfertë te tjetra. Çfarë prisni nga ndeshja në Peqin?
Atmosfera është e mirë dhe e qetë për momentin. Sigurisht që duhet të japim më të mirën tonë në çdo ndeshje që të shkojmë sa më lart në tabelën e renditjes.
Po stërvitemi dita-ditës që të përmirësojmë lojën tonë dhe trajneri Juri Kanarsa po na qëndron shumë afër. Sfida e radhës është shumë e rëndësishme për ne dhe do të synojmë vetëm marrjen e pikëve të plota.
Çfarë presim nga Apolonia në pjesën e mbetur të kampionatit?
Apolonia është në rritje duke parë edhe rezultatet që kemi marrë së fundmi. Theksoj se vetëm në tri ndeshjet e fundit në kampionat kemi marrë 7 nga 9 pikë të mundshme. Duhet të bëjmë dhe më shumë në vazhdim sepse klubi ka një objektiv dhe ne duhet ta arrijmë se s’bën. Premtoj që Apolonia e fazës së dytë do të jetë ndryshe nga e fazës së parë dhe do të luftojë denjësisht përballë cilitdo kundërshtari.
A ka skuadra ende nevojë për afrime?
Mesfushorët Kevi Berberi dhe Elvis Kovaçi janë dy përforcime të rëndësishme për mesfushën. I kanë dhënë tjetër ritëm këtij reparti dhe mbi të gjitha ka shtuar konkurrencë. Kjo i bën mirë ekipit, qoftë edhe në stërvitje. Nëse do të ketë të tjera afrime, nuk kam dijeni. Nëse vijnë, do të them që do të jenë mirëpritur.
HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL
NDIQE LIVE "PANORAMA TV"