Apolonia ende pa trajner, del në skenë emri i Ndriçim Kashamit. Ja gjendja në kampin fierak

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 30, 2021 | 23:25

Apolonia ende pa trajner, del në skenë emri i Ndriçim Kashamit. Ja gjendja në kampin fierak

Asgjë e re nga “fronti” i trajnimit për Apoloninë. Klubi ka punuar intensivisht për ta gjetur pasuesin e Fabricio Kamaratës sërish në Itali. Përpjekjet deri tani kanë rezultuar të pasuksesshme, pavarësisht se fierakëve u janë sugjeruar 2-3 emra trajnerësh italianë, por me eksperiencë në ekipe moshash dhe në nivele inferiore të futbollit fqinj.

kashami

Duke parë këtë ngërç, klubi nuk heq dorë edhe nga tregu në Shqipëri, duke i mbajtur kontaktet paralele. Në këtë pistë, më të avantazhuarit janë ata që i kanë drejtuar edhe më parë bardhejeshilët. Veç Artan Mërgjyshit e Eqerem Memushit, që janë evidentuar më herët nga “Panorama Sport”, në skenë ka dalë edhe Ndriçim Kashami, i cili i ka shkëputur marrëdhëniet me Besën.

Të tre trajnerët aktualisht janë pa skuadër. Mërgjyshi dhe Memushi e kanë drejtuar Apoloninë nga dy herë secili në të shkuarën, ndërsa Kashami një, por ka qenë edhe trajner i Apolonisë U13 sezonin e kaluar. Sytë në Itali dhe veshët në Shqipëri, por fierakët ende nuk kanë gjë konkrete sa i takon trajnerit të ri.

KUMANAKU – Kejsion Kumanaku është tashmë një futbollist i lirë. Fieraku ka mbyllur kontratën me Labërinë e Kategorisë së Dytë dhe është në kërkim të një skuadre tjetër, në nivele më të larta përfaqësimi. Në dy sezonet e fundit, ai ka shënuar 16 gola për Albpetrolin dhe 7 për Labërinë dhe tashmë i janë shtuar ambiciet për të luajtur për ekipe me peshë. Ofertat nuk i kanë munguar edhe nga skuadra modeste të Superiores, por edhe Kosova. Sulmuesi dëshiron të qëndrojë në Shqipëri dhe me shumë gjasa karriera e tij do të vijojë në Kategorinë e Parë. Shërbimet e tij i kërkon Apolonia, Bylisi, Turbina etj., por ai ende nuk ka vendosur për të ardhmen e tij.

“Kemi zhvilluar një sezon të mirë me Labërinë, duke shkuar gjer në ‘play off’ edhe pse ishim debutues. Pavarësisht nivelit të kampionatit, ka qenë një përvojë që mua më ka shërbyer në aspektin personal. Tani ka ardhur koha të provoj eksperienca të reja në kategori më të larta. Ofertat nuk më kanë munguar, sidomos nga skuadra të Kategorisë së Parë. Si qëndron e vërteta me Apoloninë? Unë e respektoj dhe e vlerësoj shumë këtë skuadër, sepse është një ekip me emër në futbollin shqiptar. Me sa di unë, ata kanë shfaqur një interesim nga larg për mua, por nuk ka pasur asnjë kontakt apo bisedë konkrete me drejtuesit e Apolonisë. Nëse do të kishte diçka të tillë, do ta kisha shqyrtuar me qetësi dhe prioritet”, thotë Kumanaku për “Panorama Sport”.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"