Apolonia eliminoi Tërbunin/ Kanarsa: Ky ekip më bën me zëmër; Beqiri “kunj” Kokëdhimës: Ai i di më mirë këto punë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 16, 2022 | 22:53

Apolonia eliminoi Tërbunin/ Kanarsa: Ky ekip më bën me zëmër; Beqiri “kunj” Kokëdhimës: Ai i di më mirë këto punë

Apolonia kaloi në fazën tjetër të “play off”-it dhe Juri Kanarsa nuk i kursen elozhet për lojtarët. E pranon që ky ekip e bën me zemër, por thekson se ka “luftëtarë” në fushë. Pas ndeshjes, trajneri tha:

Kanarsa

“Ky ekip të bën me zemër, ama di të fitojë përballë çdo rivali. Morëm një fitore të rëndësishme dhe jam shumë krenar për skuadrën time. Djemtë fierakë luftuan deri në sekondën e fundit për fitoren e parë ndaj pukjanëve dhe ia dolën më së miri. Kurrsesi nuk na kënaqte barazimi, pasi Apolonia hyn në fushë vetëm e vetëm për ta fituar ndeshjen.

Ne ishim dominues, paralelisht kontrolluam lojën pavarësisht se kundërshtari ishte shumë agresiv. Ata ndërhynin rëndë ndaj lojtarëve tanë, veçanërisht në duelet një për një. I përgëzoj luftëtarët e mi për paraqitjen dinjitoze në fushën e lojës. Treguam edhe një herë se në shtëpinë tonë e vendosim ne diktatin. Kjo fitore na jep më shumë vetëbesim për finalen e radhës së ‘play off’- it ndaj Korabit”.

Tërbuni bëri një kampionat vërtet të mirë, e megjithatë nuk e kaloi dot Apoloninë në finalen e parë të “play off”-it. Ëndrra për të kapur elitën mbaroi këtu dhe zyrtarisht sezonin 2022-2023 do të luajnë në Kategorinë e Parë.

elvin beqiri

Elvin Beqiri është parë i irrituar në përfundim të ndeshjes në “Loni Papuçiu”. Trajneri ka folur shumë shkurt për mediat pas ndeshjes, ndërsa hapur ironizoi presidentin e fierakëve. “Nuk ka nevojë të flas pas përfundimit të sfidës, ju mund të pyesni më shumë presidentin Koço Kokëdhima se ai i di mirë këto punë”, tha shkodrani i stolit të pukjanëve, duke lëshuar një “kunj” për kreun e klubit bardhejeshil. I gjithë ky zhgënjim i teknikut vinte prej 11-metërshit, që e cilësuan të dyshimtë.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"