“Apolonia e vërtetë, pas javës së pestë”, ish-trajneri Tupa: Nuk parashikoj një sezon të lehtë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 16, 2020 | 23:25

“Apolonia e vërtetë, pas javës së pestë”, ish-trajneri Tupa: Nuk parashikoj një sezon të lehtë

Ecejaket e dy javëve të para, një skuadër e re, pa një profil të qartë dhe e rikthyer në Kategorinë Superiore pas 5 sezonesh mungesë. Apolonia përbën interes të opinionit sportiv dhe ca më tepër të emrave që kanë lidhje të ngushtë me këtë skuadër. Një prej tyre është edhe Thanas Tupa, ish-asistent i legjendarit Vangjel Capo dhe më vonë trajner i Apolonisë së djemve dhe gjithashtu të ekipit të futbollit të femrave.

Thanas Tupa

“Janë vetëm dy javë dhe ende nuk mund të vendosësh dot pikat mbi ‘i’, për të thënë se ekipi ka mungesë në përgatitjen fizike, teknike apo taktike. Mendoj se forca e vërtetë e kësaj skuadre mund të dalë pas 4-5 javëve, duke u nisur dhe nga stërvitshmëria dhe përgatitja që është bërë. Vetëm atëherë do të shihet nëse është bërë seleksionimi i duhur, nëse është bërë një punë serioze dhe skemë taktike. Pra, nuk duhet nxituar për të dalë në konkluzione sepse vetëm dy ndeshje janë dhe një humbje jashtë fushe me Vllazninë dhe një barazim me Bylisin në fushën e vet, më duken rezultate normale.

Do të ishte gjë e nxituar nëse operohej me ndryshime trajnerësh dhe lëvizje të tjera, të cilat në këtë moment do të ishte shumë e dëmshme për skuadrën. Çdo gjë do kohën e vet. Vazhdimësia e Apolonisë do të duket në vijimësi, se sa do t’i rezistojë Superligës, e cila ndryshon shumë nga Kategoria e Parë, pasi ka intensitet, ka forcë dhe shumë më tepër ritëm”, është shprehur fillimisht ish-trajneri i skuadrës fierake.

Apolonia-Bylis

SITUATA – Për Thanas Tupën, Apolonia nuk ka pse trembet në një garë ku të gjitha ekipet kanë treguar oscilacione. “Nuk parashikoj një sezon të lehtë për Apoloninë, aspak. Skuadra ka ruajtur boshtin e Kategorisë së Parë dhe ka bërë disa përforcime, por kjo nuk është vendimtare, sepse gara është shumë e ashpër. Janë ekipe me emër dhe potencë, si Kukësi apo dhe Partizani dhe nuk kanë marrë rezultatet që priteshin në ndeshje të caktuara.

Por Apolonia nuk ka pse të trembet dhe të shohë se çfarë po u ndodh skuadrave të tjera, por të bëjë lojën e vetë, të tregojë karakterin e vet, pa u ndikuar dhe pa u trysnuar nga rezultatet. Them se skuadra do të tregojë karakter dhe do ta përballojë mirë kampionatin”, përfundoi Tupa për “Panorama Sport”.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"