“Apolonia e tregon veten që në fillim”, Mërgjyshi beson te skuadra fierake

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 14, 2019 | 14:21

“Apolonia e tregon veten që në fillim”, Mërgjyshi beson te skuadra fierake

Një nga çiftet e javës së parë të Grupit B në Kategorinë e Parë është edhe Elbasani-Apolonia. Verdheblutë kanë avantazhin e faktorit fushë, por “në letër” më të favorizuar janë fierakët, pasi kanë më shumë përvojë në skuadër. Gjithsesi, futbolli luhet në fushë dhe është aq i paparashikueshëm.

mergjyshi

Këtë gjë e di shumë mirë edhe trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi, i cili i paralajmëron lojtarët e tij që të kenë kujdes dhe të luajnë fort gjatë gjithë ndeshjes së sotme. Kryepankina fierake e nis prononcimin për “Panorama Sport” nga merkatoja e verës, ku nuk e fsheh aspak faktin se priste më shumë. “

Mendoj se merkatoja për ne është mbyllur dhe nuk besoj se presim më, veç ganezit Ofori Ansu. A jam i kënaqur me këtë merkato? Dihet që çdo trajner kërkon më të mirën dhe mendoj se mund të bënim më tepër në drejtim të merkatos, por gjithsesi jam optimist dhe nuk duhet të shohim mbrapa. Duhet të kërkojmë të marrim maksimumin me grupin e lojtarëve që kemi aktualisht në dispozicion. Sa i përket objektivit, e dimë që do të jetë një kampionat i vështirë, shumë i luftuar dhe me shumë rivalë, por ne do të jemi atje, në grupin që synon ngjitjen në Superligë, çka do të mbetet objektivi ynë primar”, shprehet trajneri kryeqytetas.

Trajneri i Apolonisë fokusohet pastaj te fillimi i sezonit të ri, ndeshja e sotme kundër Elbasanit në “Elbasan Arena”. “Gjendja e skuadrës është e mirë. Sidomos ndeshjet miqësoret që kemi zhvilluar gjatë kësaj periudhe, kanë sjellë rritje besimi në grupin e lojtarëve. Jo vetëm me Elbasanin, por në çdo ndeshje ne do të luftojmë për të marrë 3 pikët. Le t’ia nisim që nga ndeshja e parë, sepse për t’i shërbyer objektivit madhor, duhet ta tregojmë veten që në ballafaqimin e parë, ku do të luajmë vetëm për fitore”, thotë trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

Fierakëve u vjen në ndihmë fakti që thuajse të gjitha miqësoret e verës i kanë zhvilluar në transfertë, pasi në stadiumin e tyre po bëhen punime. Edhe ndeshjen e sotme e luajnë jashtë fushe dhe djemtë e trajnerit Mërgjyshi do të dinë si të sillen në fushë. Një start me fitore do të ishte një shtysë e fortë për vazhdimësinë.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"