“Apolonia, e paparashikueshme”, Rustem Hoxha: Asgjë nuk na tremb, Teuta ruan kreun

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 10, 2021 | 13:20

“Apolonia, e paparashikueshme”, Rustem Hoxha: Asgjë nuk na tremb, Teuta ruan kreun

“Djemtë e detit” lua jnë një ndeshje shumë të rëndësishme sot, teksa përballë do të kenë Apoloninë, një ekip që lufton për mbijetesë, ndërsa blutë janë në krye dhe kërkojnë titullin. Në prag të kësaj sfide, për “Panorama Sport” ka folur qendërmbrojtësi i Teutës, Rustem Hoxha, i cili është shprehur se do të jetë një ndeshje e vështirë, por skuadra e tij do të kërkojë me çdo kusht të marrë tri pikët.

Rustem Hoxha

Jeni të parët tashmë. E ndieni presionin e kreut dhe mbajtjes së tij?

Më vjen mirë që pas shumë javësh arritëm të kapim vendin e parë dhe kjo është një ndjesi e mirë. Unë kam besim dhe shpresoj që ta mbajmë deri në javën e fundit. Unë mendoj se do t’ia arrijmë, pasi kemi një grup shumë të mirë. Presionin e kreut nuk e ndiejmë, pasi mendojmë që janë ekipet e tjera ato që do ta ndiejnë presionin pasi Teuta, ka arritur të kapë kreun.

Me ekipe që në letër janë shumë të forta, luani më mirë dhe shpesh fitoni, ndërsa me skuadra që janë në zonën e poshtme vuani shumë. Pse ndodh kjo?

Kjo tregon që ne kemi një ekip shumë të mirë, që me skuadrat e forta përballemi shumë mirë, por është e vërtetë se me ekipet e poshtme të tabelës kemi çeduar pak. Unë shpresoj që në këtë ndeshje të vazhdojmë të marrim maksimumin me këto ekipe që të bëjmë dhe diferencën e pikëve me ekipet ndjekëse.

Do të luani kundër Apolonisë, një ekip ndaj të cilit në dy fazat e para keni marrë fitore minimale. Çfarë prisni?

Po, është e vërtetë që kemi hasur shumë vështirësi me Apoloninë, pasi ata kanë një ekip të mirë, luajnë kompakt, zbatojnë detyrat që u jep trajneri. Parashikoj një ndeshje shumë të fortë dhe nëse nuk do ta vlerësojmë në maksimum, do të hasim shumë vështirësi, kështu që na pret një ndeshje shumë e fortë.

Mendoni se kjo javë mund të flasë për ju dhe të jeni të shkëputur në krye, pasi edhe rivalët kanë ndeshje direkte?

Po, ne do të luajmë një ndeshje me Apoloninë, siç e thashë, është shumë e fortë. Rivalët tanë përplasen me njëri-tjetrin, por siç përplasen ata dhe ne do përballemi me rivalët tanë, kështu që nuk besoj që është një avantazh që përplasen ata. Unë mendoj që ne duhet të marrim tri pikët çdo ndeshje, sepse tri pikët vlejnë njësoj si me Laçin, por edhe me Apoloninë, kështu që vetëm këtë gjë duhet të shikojmë dhe s’duhet të fokusohemi fare me ndjekësit tanë. Nëse ne marrim maksimumin e pikëve s’kemi pse të mbajmë mendjen për rivalët tanë.

Ka diçka që ju tremb para ndeshjes në Fier?

Jo, asgjë nuk më tremb siç e thashë që pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë do të këtë një vlerësim dhe impenjim maksimal kjo sfidë, sepse është shumë e rëndësishme, kështu që nuk i trembem asgjëje, kam besim pasi ne kemi ekipin dhe lojtarët me eksperiencë që dimë ta vlerësojmë njësoj çdo ndeshje.

Keni vulosur fitoren në fazën e dytë. Është momenti të shënoni sërish përballë Apolonisë?

Unë së bashku me të gjithë mbrojtjen do të bëjmë maksimumin dhe e gjithë skuadra që si fillim të mos pësojmë gol. Më pas nëse do të shënoj gol, do të ishte një gëzim i dyfishtë që të shënoja dhe të fitonim. Por, detyra jonë është që ta mbajmë 0 kundërshtarin, sepse kualitetin e kemi në sulm që të shënojnë ata gola dhe kam besim se do të arrijnë të shënojnë mjafton ne të bëjmë detyrën tonë ta mbajmë prapa.

ZAMIR QYPI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"