“Apolonia e denjë për elitën”, Smaçi: Do të paraqitemi siç duhet në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 18, 2020 | 22:33

“Apolonia e denjë për elitën”, Smaçi: Do të paraqitemi siç duhet në Superiore

Erisildo Smaçi do të luajë sezonin e dytë për ngjyrat e Apolonisë. Ai është bërë pjesë e bardhejeshilëve verën e kaluar, por, për shkak të dëmtimeve, nuk është aktivizuar aq sa duhet. Vetëm 708 minuta në 8 ndeshje numëron mesfushori lezhjan në kampionatin e kaluar, ndërsa tashmë gëzon formë të mirë dhe është kandidat i fortë për një vend titullari në formacionin e trajnerit Kolela.
IMG_20190719_151314
Smaçi ka luajtur më parë për Laçin në Superiore dhe Shënkollin në Kategorinë e Parë, por ka qenë këmbëngulja e trajnerit Artan Mërgjyshi, që ai të bëhej pjesë e Apolonisë vitin e shkuar. Dhe mesfushori duket se ka gjetur në Fier “shtëpinë e dytë”, siç shprehet vetë 22- vjeçari.

“Për mua është sezoni i dytë që do të luaj tek Apolonia dhe, të them të drejtën, ndihem jashtëzakonisht mirë këtu. Çdo ditë që kalon, aq më shumë më duket si shtëpia ime e dytë. Në Fier ka një mjedis të ngrohtë, brenda skuadrës ka një frymë miqësore dhe bashkëpunimi që rrallë mund ta gjesh. Apolonia është një klub që funksionon mirë dhe ka një skuadër premtuese. Arritjet kanë qenë graduale, me hapa të matur, por gjithçka e merituar. Arritëm të shpalleshim kampionë të Kategorisë së Parë, duke sfiduar kundërshtarë shumë të fortë, por tashmë kjo pjesë i përket së shkuarës. Në ritmin që të dikton Kategoria Superiore, ne jemi të detyruar të përgatitemi fort, pasi arritja jonë nuk do të kishte asnjë vlerë nëse nuk linim gjurmë pozitive në kampionatin superior. Me grupin e lojtarëve që kemi dhe me përforcimet që po bëhen, besojmë se Apolonia do të bëjë paraqitjen e duhur në Superiore”, u shpreh mesfushori i Apolonisë, Ersisildo Smaçi.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"