“Apolonia do fitoren”, Kamarata: Nuk merremi me problemet e Tiranës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2021 | 23:01

“Apolonia do fitoren”, Kamarata: Nuk merremi me problemet e Tiranës

Apolonia do të ndeshet këtë fundjavë me kampionët e Tiranës, në një ballafaqim ku të dyja skuadrat do të kërkojnë fitoren. “Nuk ka kundërshtarë të lehtë, të gjitha ekipet janë të vështira në Superiore, brenda dhe jashtë fushe”.

Kamarata2

Kjo është aksioma, të cilën trajneri Fabricio Kamarata po ngulit tek Apolonia. Italiani i pankinës fierake ka krijuar atmosferë besimi në skuadër, e dukshme në lojën dhe në rezultatet e fundit të bardhejeshilëve. “Nga sa e kam analizuar këtë kampionat, kam vënë re se skuadrat e kreut kanë vuajtur dhe kanë humbur pikë me ekipet e ashtuquajtura ‘të vogla’ dhe që kanë pretendime më modeste, – thotë trajneri i Apolonisë.

– Çdo javë mund të gjenden rezultate të tilla surprizë, siç ishte rasti më i fundit i barazimit të Vllaznisë kryesuese me Kastriotin. Në këtë aspekt, them që nuk ka ndeshje të lehta dhe rezultat të paracaktuar pa u luajtur, por çdo gjë vendoset në 90 minutat në fushë. Nga ana tjetër, nuk ka kundërshtarë të pakalueshëm, nëse skuadra respekton 100% udhëzimet dhe jep maksimumin në fushë. Dhe ekipi ynë i ka shembujt në ndeshjet me Partizanin, Laçin apo dhe me Skënderbeun”.

Gjithë këtë rezyme trajneri i Apolonisë e bën për të rritur moralin dhe për të forcuar psikologjinë e lojtarëve të tij përpara ndeshjes së kësaj jave me Tiranën, për të cilën Kamarata ka “përveshur mëngët”, që të ndërtojë ekipin fitues ndaj bardhebluve. “Do të jetë një ndeshje e fortë për ne, pasi kundërshtari është kampioni në fuqi i Shqipërisë. Nuk duhet të ndikohemi nga emri, por të tregojmë veten, pasi ndeshja luhet 11 kundër 11.

Gjendja e Apolonisë është e mirë dhe ne po punojmë për të përgatitur përballjen e duhur, për të ideuar një skuadër të suksesshme dhe rezultative edhe këtë herë. Nuk merremi me problemet e Tiranës, por shohim vetëm punën tonë dhe në fundjavë do të kërkojmë të fitojmë me çdo kusht, pasi Apolonia në çdo ndeshje do të luajë për maksimumin e pikëve”, deklaroi për “Panorama Sport” trajneri Fabricio Kamarata.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"