Apolonia do fitoren e pestë radhazi, Mërgjyshi: Të shfrytëzojmë momentin, Besa na mori pikë në Fier

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 16, 2020 | 8:09

Apolonia do fitoren e pestë radhazi, Mërgjyshi: Të shfrytëzojmë momentin, Besa na mori pikë në Fier

Apolonia e vendit të parë ka një sfidë të vështirë ndaj Besës, skuadër që cilësohet si pritëse, paçka se luhet sot në orën 14:00 në fushën asnjanëse në stadiumin “Roza Haxhiu” të Lushnjës. Një ballafaqim, ku të tria rezultatet janë të mundshme dhe ekipet do të kërkojnë t’i shkëpusin fitoren njëratjetrës. Skuadra e trajnerit Artan Mërgjyshi po kalon formën më të mirë sezonale dhe mund të quhet ekipi i momentit në Grupin B, për shkak të ecurisë pozitive gjatë këtij viti.Apolonia Elbasani

Katër fitore radhazi në kampionat janë një motiv më tepër, që fierakët të kërkojnë fitoren e pestë të njëpasnjëshme. Por trajneri Mërgjyshi e njeh mirë karakterin e skuadrës kavajase, pasi e ka drejtuar më parë Besën dhe nuk pret aspak një ndeshje të lehtë, pavarësisht diferencës në pikë që ka mes dy ekipeve.

“Gjatë gjithë javës, skuadra ka qenë e qetë, është përgatitur me kujdes dhe e karikuar maksimalisht, sidomos për këtë ndeshje, – thotë fillimisht trajneri Mërgjyshi për “Panorama Sport”. – Kualifikimi në Kupë ka ruajtur psikologjinë pozitive të lojtarëve, të cilët do të kërkojnë vazhdimësinë e ecurisë së deritanishme”.

Më tej, kryepankina fierake ndalet te ndeshja me Besën, të cilën e parashikon si një betejë të luftuar fort sportivisht. “Është një ndeshje radhe, por shumë e vështirë për ne. Besa është një kundërshtar i respektueshëm dhe ne ia njohim mirë forcën dhe vlerat. Nuk nisemi aspak nga diferenca në pikë, pasi në një ndeshje futbolli zerohen të gjitha dhe gjithçka varet nga ajo që skuadrat japin në fushë. Pres të jetë një ndeshje e rivalizuar, korrekte dhe me luftë të ndezur sportive, pasi të dyja skuadrat kanë objektiv të njëjtë, fitoren.mergjyshi

Ne do të përpiqemi të shfrytëzojmë momentin e mirë ku ndodhemi, gjendjen optimale të skuadrës dhe do të luajmë vetëm për tri pikë. Lojtarët e kanë të qartë se çfarë ndeshjeje dhe çfarë kundërshtari i pret, e vetmja skuadër që na ka marrë pikë në ndeshjet e zhvilluara deri më tani në fushën tonë”, deklaroi trajneri i Apolonisë. Në fund, i pyetur për rezultatin që dëshiron nga ndeshja e rivalëve, Pogradeci-Lushnja, ai u shpreh: “Jam i fokusuar vetëm te skuadra ime dhe rezultatet e Apolonisë. Bëjmë llogaritë tona, jo të të tjerëve”.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"