“Apolonia do elitën, shkarkimi i Klevis Dalipit erdhi pas një analize të gjatë”, drejtori i fierakëve: Nuk i futemi garës për “sfilatë”

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 25, 2022 | 11:36

“Apolonia do elitën, shkarkimi i Klevis Dalipit erdhi pas një analize të gjatë”, drejtori i fierakëve: Nuk i futemi garës për “sfilatë”

Apolonia nuk ka vendosur ende për trajnerin e ri. Pas shkarkimit të Klevis Dalipit nuk flitet ende për pasues, ndonëse stërvitjet po i drejton Mariglen Kule dhe Dario Dian. Edhe pse stoli mbetet bosh, në Fier e dinë se çfarë kërkojnë. Presin autokritikë të menjëhershme nga ekipi, duke filluar nga Kupa e Shqipërisë. Të dielën udhëtojnë në Lezhë, atje ku i pret Besëlidhja dhe synimi është fitorja me lojë bindëse. Këtë e konfirmon në një intervistë për “Panorama Sport”, drejtori Kir Doshi. Ai qartëson se zhgënjimi që erdhi nga përmbysja me Besën, solli edhe largimin e teknikut 46-vjeçar.

Apolonia

Apolonia largon krejt papritur Klevis Dalipin. Çfarë ndodhi konkretisht dhe pse u mor ky vendim?

Vendimi erdhi pas një analize të gjatë dhe të kujdesshme të performancës dhe rezultateve të skuadrës. Trajneri u shkarkua nga klubi në këtë moment, pasi synohet që t’i japim kthesë pozitive e të menjëhershme ekipit. Është nevoja për të punuar me qetësi dhe vendosmëri për vazhdimësinë. Apolonia falënderon Klevis Dalipin për angazhimin dhe seriozitetin që ka dëshmuar në këto tre muaj dhe i uron suksese në karrierën e tij.

Nuk ishte ky starti që klubi donte?

Sigurisht që ky nuk është. Apolonia ka të drejtë të këtë pritshmëri të tjera. Orët e punës së investuar nuk e justifikojnë këtë fillim ka mpionati. Ne nuk punojmë për të mos rënë nga kategoria, por për të shkuar në “Abissnet Superiore”. Ne bëjmë një punë elitare dhe meritojmë të pretendojmë të luajmë në elitë.

Kaq shumë zhgënjim solli ajo humbje me përmbysje në Peqin?

Të humbësh nuk është kurrë e këndshme. Ndeshjet zgjasin 90 minuta. Ndoshta pas minutës së 80-të menduam se e kishim mbyllur. Lojtarët e dinë që një rënie e tillë nuk falet në një klub që ka ambicie mëdha. Ka zhgënjim, por jemi të vetëdijshëm që jemi ende zotë të fatit tonë.

Jeni pushim sa i takon garës në Kategorinë e Parë, por jo nga Kupa e Shqipërisë. Cili është objektivi i Apolonisë kundër Besëlidhjes?

Objekti është i thjeshtë, duhet të fitojmë dhe të bindim në lojë. Apolonia sigurisht që do të luftojë në të dyja frontet. Nuk është në filozofinë tonë të marrim pjesë në kompeticione vetëm për të bërë sfilatë. Kemi shumë lojtarë që janë të etur për sukses.

HILMI SALIU – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"