Apolonia dhe Elbasani, një histori plot rivalitet. Fierakët s’do ta kenë të lehtë në shtëpi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 3, 2019 | 23:44

Apolonia dhe Elbasani, një histori plot rivalitet. Fierakët s’do ta kenë të lehtë në shtëpi

Apolonia dhe Elbasani do të matin forcat në “Loni Papuçiu” të shtunën. Janë dy skuadra, të cilat, për nga historia, duhet të ishin në Superiore, por që i mungojnë asaj prej 5 sezonesh. 

apolonia elbasani

Nëse Apolonia në sezonin më të keq në Kategorinë e Parë përgjatë këtyre 5 edicioneve e ka siguruar mbijetesën pa shumë sforco, Elbasani me më shumë traditë ka kaluar në “kalvarin e stërmundimeve”, duke “u kacavjerrë” për të qëndruar në të Parën deri në javën e fundit. Pas fazës së parë të këtij kampionati është i fundit.

RIVALITETI – Në 20 ndeshjet e fundit mes tyre, këto dy skuadra kanë këtë bilanc: 12 fitore Apolonia, 3 barazime, 5 fitore Elbasani, me golavarazhin 43-21. Duke lënë pas bilancin, këto ekipe shpesh e kanë sfiduar pozicionin në renditje dhe faktorin fushë, duke qenë rivale të denja ndaj njëra-tjetrës, edhe pse fierakët kanë pak supremaci në rezultate. Verdheblutë e kanë dëshmuar forcën e tyre edhe kur nuk pritej. Nga 5 fitore në 20 ndeshjet e fundit mes tyre, 3 prej tyre Elbasani i ka marrë në Fier, ndërsa Apolonia i ka të balancuara 12 fitoret, 6 në Elbasan dhe po aq në Fier. Elbasani ka shënuar më shumë gola në ndeshjen Apolonia-Elbasani 2-3, më 7 maj 2016, ndërsa fierakët kanë shënuar më shumë në ndeshjen Elbasani-Apolonia 2-5, më 13 shkurt 2016. Përpos të tjerash, këto dy skuadra kanë ekipin më rinor të Kategorisë së Parë, Apolonia me moshë mesatare 22.18 vjeç dhe Elbasani me moshë mesatare 22.45 vjeç.

DHJETORI FAVORIZON UDHËTUESIT – Që nga viti 2008, Apolonia dhe Elbasani janë ndeshur mes tyre tri herë në muajin dhjetor. Rezultatet janë interesante, pasi në të tria rastet ka fituar skuadra udhëtuese, Elbasani-Apolonia 1-4 (Superiore, 7 dhjetor 2013), Apolonia-Elbasani 0-1 (Superiore, 13 dhjetor 2014), Apolonia-Elbasani 0-2 (Kategoria e Parë, 15 dhjetor 2018).

Fierakët duhet të bëjnë kujdes për të mos humbur sërish në fushën e vet një ndeshje dhjetori me Elbasanin. Verdheblutë vjet i shkaktuan Apolonisë humbjen më të papritur dhe më të thellë në Fier, 0-2, javën e 13-të, duke sjellë dorëheqjen e trajnerit Marjol Miho.

NOSTALGJI – Janë dy ekipe që kanë fituar trofe në Superiore, kampionate dhe kupa, por prej 5 sezonesh “telendisen” në katet inferiore. E ëndërrojnë fort elitën dhe kohët e arta, por ballafaqimi i fundit mes tyre në këtë kategori daton më 9 maj 2015, në “Loni Papuçiu”, ku Apolonia fitonte 4-1. Të vetmit “dëshmitarë” nga ajo ndeshje janë nga kampi fierak, trajneri Mërgjyshi, Nako dhe Hysenshahaj. Këta ishin në fushë, ndërsa Çako dhe Andoni kanë qenë në stol.

BUJAR RAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"