Apolonia “blindon” sulmuesin, ish-lojtari i Dinamos një vizë… larg

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 31, 2021 | 10:05

Apolonia “blindon” sulmuesin, ish-lojtari i Dinamos një vizë… larg

Apolonia “blindon” Mustafa Xhixhiuan. Sulmuesin vetëm viza e ndan nga Fieri. Edhe pse Klevis Dalipi (trajner i Tomorit) e ka në listën e dëshirave, i shuhet çdo lloj shprese. Klubi e bën fakt të kryer: kamerunasi do të jetë futbollist i bardhejeshilëve për sezonin 2021-2022. Mes fierakëve dhe 25- vjeçarit është arritur akordi dhe këto ditë pritet vetëm pajisja e tij me vizë, që të ketë mundësi të fluturojë drejt Shqipërisë dhe përmbyllur formalisht e zyrtarisht këtë “operacion” merkatoje. Ish-sulmuesi vjen pas një aventure të suksesshme me Dinamon, duke shënuar 9 gola dhe dhënë një kontribut të vlefshëm për ngjitjen e bluve në elitë.

Xhixhiua

OFERTAT PËR SULMUESIN

Emri i tij ka qenë i synuar nga disa skuadra. Erzeni e kishte në plane në nisje të kësaj merkatoje dhe rishtas në skenë u shfaq Tomori, por Apolonia ka bërë ofertën më tunduese dhe e ka bindur Xhixhiuan për t’u veshur bardhejeshil. Misioni i kamerunasit te fierakët nuk do të jetë i lehtë, pasi atij i duhet të zëvendësojë Mario Gjatën dhe rrjedhimisht të marrë përsipër rolin e “bomberit”. Gjithsesi, përvoja e Xhixhiuas në Kategorinë e Parë është e mjaftueshme. Ai ka plot 4 sezone që luan në Shqipëri, ku numëron 84 prezenca dhe 36 gola të shënuar (duke llogaritur të dyja kompeticionet, Kupë dhe kampionat).

RIKTHEHET DIOP

Tjetër lajm pozitiv për Apoloninë është rikthimi i mbrojtësit Ismaila Diop. 21-vjeçari ka mbërritur në Fier dhe i është bashkuar menjëherë skuadrës, ku për disa ditë do të kryejë stërvitje të diferencuar. Mes Apolonisë dhe senegalezit është arritur marrëveshja e bashkëpunimit edhe për 2 vjet të tjerë dhe pritet që ai të jetë një nga lojtarët kyç të repartit defensiv për formacionin e trajnerit Juriy Kanarsa.

BUJAR RAMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"