Apolonia bind në Cërrik, sinjal i qartë për elitën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 25, 2019 | 13:34

Apolonia bind në Cërrik, sinjal i qartë për elitën

Turbina ka pësuar humbjen e dytë në stadiumin “Nexhip Trungu” të Cërrikut, pas asaj me Luftëtarin javën që shkoi. Këtë herë ishte Apolonia që fitoi 0-2, duke treguar se është pretendente serioze për ngjitjen në Superiore. Fierakët shënuan në fundin e çdo pjese, në të parën me Mihanën dhe në të dytën me Branicën.

apolonia turbina

Gati 300 sportdashës vendës të pranishëm në stadium i kanë duartrokitur të dyja skuadrat për lojën emocionuese dhe “Fair Play”- n që dhuruan gjatë 90 minutave. Cërrikasit e nisën mirë lojën dhe për t’u veçuar është një goditje “predhë” e Koldashit, por topi kaloi pranë shtyllës së majtë pingule të portës fierake.

U kundërpërgjigjën miqtë nga Fieri me një gjuajtje nga distanca të Smaçit, por edhe ai nuk gjeti dot kuadratin. Në fundin e pjesës parë, Apolonia kaloi në avantazh, duke shfrytëzuar një rast me protagonist Gjatën dhe Mihanën, me këtë të fundit që e përcolli topin në rrjetën e Kukës. Pjesa e dytë kishte sërish ritëm nga të dyja skuadrat. Turbina tentoi të barazonte me anë të brazilianit Romulo, i cili gjeti të gatshëm portierin Harizaj.

Ymeraj dhe Mehmeti u përpoqën të shënonin për Apoloninë, por edhe ata pa rezultat. Edhe pas zëvendësimeve të kryera nga dy trajnerët Lubani dhe Mërgjyshi, loja prodhoi emocione. Goli i dytë i ndeshjes do të vinte në fundin e saj, kur pas një rrëmuje në zonën e Turbinës, Branica u shfaq i vetëm me portierin Kuka dhe e kishte të lehtë ta dyfishonte rezultatin.

tURBINA APOLONIA

Kjo ndeshje miqësore u ndoq me mjaft interes edhe nga personazhet “VIP”, ku veç presidentëve respektivë Gentian Gjoka dhe Koço Kokëdhima, ra në sy edhe prezenca e presidentit të Elbasanit, Arben Laze.

LUBANI – Pas kësaj ndeshjeje, trajneri i cërrikasve, Ergi Lubani, theksoi: “Apolonia ishte një skuadër shumë e mirë, ashtu siç e prisja. Sërish golat që pësuam erdhën nga goditjet standarde, aty ku kemi më tepër nevojë të përmirësohemi. Sinqerisht, jam i kënaqur nga lojtarët e mi, pasi bënë përpjekje dhe shfaqën rezistencë. Javën që vjen do të luajmë dy miqësore të tjera dhe pres që skuadra të jetë edhe më mirë në lojë”.

MËRGJYSHI– Këto ndeshje janë mjaft efikase për të parë në thelb atë çka kemi si objektiv. Luajtëm përballë një skuadre të mirë, që shpesh na vuri në vështirësi, por falë kualitetit dhe këmbënguljes, arritëm të shënonim dy herë. Jam duke pritur të tjera përforcime tek Apolonia, mjafton të vijnë në skuadër edhe ditën e fundit para kampionatit”, tha pas ndeshjes në Cërrik trajneri i Apolonisë, Artan Mërgjyshi.

ARTAN PAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"