Apolonia bën prova për penalltitë, trajneri Kanarsa apel tifozëve: Na mbështesni me Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 13, 2021 | 12:23

Apolonia bën prova për penalltitë, trajneri Kanarsa apel tifozëve: Na mbështesni me Flamurtarin

Apolonia është gati për Kupën e Shqipërisë. Fierakët do të rreshtohen përballë Flamurtarit, ndeshje kjo e vlefshme për turin e dytë. Nëse në Vlorë nuk shkuan më larg se barazimi 1-1, sot do të tentojnë vetëm kualifikimin. Shanset janë 50 me 50, e megjithatë Juri Kanarsa mendon se i favorizon… stadiumi.

kanarsa

Trajneri vlerëson kundërshtarin, por kërkon me ngulm kalimin e këtij turi. Gjatë një deklarate të dhënë për “Panorama Sport”, italiani i stolit të bardhejeshilëve qartëson se skuadra është rritur ndjeshëm këto ditë dhe në ndihmë ka ardhur ndjeshëm ndalesa e garës.

“Kjo pauzë disaditore na ka ndihmuar shumë të përmirësohemi. Kemi bërë gabime deri më tani, por mendoj se jemi rritur dhe në vazhdim do të kërkojmë veçse kthesën. Me rezultatet negative i kemi mbyllur llogaritë. Atmosfera në kamp është e mirë, djemtë tanë janë stërvitur maksimalisht dhe harmonia nuk mungon midis tyre”, u shpreh fillimisht tekniku.

Teksa ndalet te Kupa dhe vlonjatët, numri një i stolit fierak thotë: “E vlerësojmë ekipin vlonjat, por fitorja është opsioni i vetëm yni. Futbollistët kanë marrë parasysh që në fillim ngarkesën dhe sigurisht jo të gjithë do të jenë në formën e duhur fizike. Ama në duelin e nesërm (sotëm) do të shihni një skuadër mjaft të fortë. Në formacionin bazë do të luajnë ata lojtarë që janë në formën e duhur fizike dhe nga titullarët e përzgjedhur pres maksimumin”. Italiani ka edhe një festë për tifozët. Ai pret një stadium të mbushur, për ta pasur më të lehtë kualifikimin.

“Pres që të kemi në krah edhe tifozët. Duke pasur një stadium të mbushur, do ta kemi më të thjeshtë. Apolonia ka nevojë për mbështetje në çdo takim dhe sidomos kur luan në shtëpi”, përfundoi Kanarsa. Gjatë seancës së fundit anti-Flamurtari skuadra është marrë me çdo detaj. Pasi zhvilluan një lojë brenda llojit dhe u fiksua formacioni me të cilin do të zbresin sot në fushë, janë bërë prova edhe me penalltitë.

Bardhejeshilët duan që të jenë gati për çdo të papritur, ndaj edhe testuan veten nga pika e bardhë. Grupi nuk ka qenë i plotë, pasi mungonte Enes Papaj. Mesfushori është dëmtuar pikërisht në ndeshjen e parë në Vlorë dhe rikuperimi i tij kërkon kohë.

HILMI SALIU-PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"