Apolonia bën “pazar” në tregun e huaj, përgatit vizat për 4 futbollistë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2020 | 11:32

Apolonia bën “pazar” në tregun e huaj, përgatit vizat për 4 futbollistë

Përtej rezultatit, në miqësoren e fundit me Laçin, Apolonia ka zhvilluar lojë të mirë. Trajneri Mërgjyshi ka pasur jo pak mungesa në formacion: Duda, që do t’i nënshtrohet sërish operacionit, ndërsa Gjata e Mehmeti nuk kanë pasur kondicionin e duhur fizik. Në miqësoren e dytë ndaj Laçit janë aktivizuar edhe Filipoviç, qendërmbrojtësi serb që ka firmosur për fierakët, si dhe Buzi, Çulli e Joti, në testim e sipër te bardhejeshilët.

Apolonia-Besa

Për Filipoviçin ka qenë debutuese kjo miqësore dhe serbi ka shfaqur probleme fizike, ndonëse është treguar pozicional në rol. Për Orgest Buzin, mbrojtësin 25-vjeçar, që edhe më parë ka qenë pjesë e Apolonisë dhe për sarandjotin Benito Çulli, vendimi definitiv do të merret brenda kësaj jave, ndërsa për Kristi Jotin, bordi përzgjedhës i klubit fierak ka vendosur që të ndërpresë testimin dhe ta lërë të lirë për të kërkuar një eksperiencë të re në një ekip tjetër.

Ndërkohë, në klub po punohet për 4 lojtarët e huaj, duke u marrë me procedurat e vizës dhe teknikalitetet e udhëtimit drejt Shqipërisë. Bëhet fjalë për një brazilian, një ganez, një senegalez dhe një serb, për të cilët fierakët nuk do t’i marrin të gatshëm, apriori, por do t’i testojnë dhe pastaj do të vendosin.

Sa i përket miqësores së fundit, pavarësisht deklarimit pas ndeshjes, trajneri Mërgjyshi është dukur i shqetësuar për skuadrën e tij, si në fazën mbrojtëse, ku pati jo pak probleme dhe u krijuan hapësira për kurbinasit, por po ashtu edhe në fazën sulmuese, ku bardhejeshilët janë shfaqur të pafuqishëm, anemikë dhe fare pak rrezik kanë krijuar në portën e Laçit. Ndërkohë, të shtunën është projektuar një miqësore tjetër, këtë herë në Fier kundër Bylisit të Superiores.

BUJAR RAMA-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"